Kuvendi i Malit të Zi miratoi dje ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Sigurim Shëndetësor, me të cilat grave të diagnostikuara me dismenoragji sekondare – cikle menstruale të dhimbshme të shoqëruara me spazma, të përziera dhe lodhje – u mundësohet e drejta për dy ditë leje të paguar në muaj.
Kjo e drejtë, siç raporton “Vijesti”, u takon grave që kanë cikle menstruale të dhimbshme të shkaktuara nga shkaqe organike, siç janë endometrioza, mio hisë, polipet dhe sëmundje të tjera gjinekologjike.
Deputetja e pavarur Jevrosima Pejoviq e dorëzoi iniciativën për ndryshimin e ligjit në mars të këtij viti, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Projektligji paraprakisht u mbështet me unanimitet në seancat e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Politikë Sociale si dhe nga Komisioni Ligjvënës.
Në arsyetimin e ligjit thuhet se qëllimi i ndryshimeve është rregullimi adekuat i gjendjeve patologjike të diagnostikuara të dismenoragjisë sekondare, menjëanimi i stigmës dhe paragjykimeve në vendin e punës, si dhe vendosja e një ekuilibri mes ruajtjes së shëndetit dhe obligacioneve profesionale të grave. Siç nënvizohet, grave me dismenoragji sekondare u njihet e drejta për gjendje të posaçme të paaftësisë së përkohshme për punë.
Dismenoragjia sekondare nënkupton pengesa menstruale të dhimbshme të shkaktuara nga sëmundje gjinekologjike të diagnostikuara më parë, si endometrioza, mio hitë, inflamacioni i vezoreve, polipet endometriale dhe sindroma e vezoreve policistike, si dhe gjendje që mund të shoqërohen me marrëdhënie seksuale të dhimbshme, urinim të vështirësuar, sterilitet ose gjakderdhje të bollshme menstruale.



