Kurti i pret në zyrë përfaqësuesit e “Koalicionit Shqiptar” që fituan dy mandate në Parlamentin e Serbisë: Bashkimi duhet të vazhdojë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i priti në zyrën e tij në Prishtinë përfaqësuesit politikë nga Lugina, të cilët fituan dy mandate në Parlamentin e Serbisë në zgjedhjet e së dielës.

Kurti tha se përbashkimi “solli rezultatin më të mirë të shqiptarëve në Serbi që nga viti 2000”.

“Bashkë, sikurse u dakorduan më 29 shtator, prita sot sërish në Zyrën e Kryeministrit drejtues e përfaqësues të subjekteve politike, aktivistë e bashkëkombës nga Presheva, Medvegja, Bujanoci e Pazari i Ri, të cilët lanë mënjanë dallimet duke u bërë një në listën “Koalicioni Shqiptar”. Përbashkimi solli rezultatin më të mirë të shqiptarëve në Serbi që nga viti 2000. Deri tani, plot 1.233 vota më shumë se në vitin 2020, kur u patën fituar tri mandate”, shkroi ai në një postim në Facebook.

“Shqiptarët, janë pakica e katërt për nga popullsia në Serbi, por në zgjedhjet e së dielës atje janë renditur të dytët për nga votat dhe të parët për nga mandatet, së bashku me hungarezët, ndër listat e pakicave kombëtare. Dy partitë më të mëdha në Serbi kanë së bashku 244 mandate. Katër listat e pakicave, gjashtë. Dy prej tyre janë të “Koalicionit Shqiptar””, shtoi ai.

Kurti tha se “rëndësia e rezultatit shqiptar i kalon numrat, sepse është arritur në rrethana të pasivizimit të adresave, mosnjohjes së diplomave, përjashtimit sistematik nga institucionet publike, diskriminimit ekonomik, emigrimit dhe zbrazjes së vendbanimeve shqiptare”.

“Për më shumë se dy dekada, shqiptarët kanë qenë njëfarë opozite e dyfishtë. Opozitë ndaj pushtetit dhe opozitë ndaj shtetit, i cili e kishte vendosë veten në opozitë ndaj tyre. Bashkimi nuk duhet të përfundojë. Duhet ta kuptojmë që më 25 tetor, bashkimi, që është cilësi e re, e ka një kapitull të ri, që duhet të vazhdojë me mbrojtje të fuqishme të të drejtave, me kërkesën për barazi dhe në përpjekjen për jetë dinjitoze në vendlindje. Dy mandatet janë arritje e përbashkët, e mbi të gjitha, janë edhe përgjegjësi e përbashkët. Aty ku janë mundësitë më të mëdha, edhe përgjegjësia është më e madhe”, tha ai.