Alarm për klimën, ndotja e atmosferës arrin nivele rekord

Përqendrimi i dioksidit të karbonit (CO₂) dhe i gazrave të tjerë serrë në atmosferë arriti nivele rekord në vitin 2025, duke përshpejtuar ngrohjen globale dhe duke rritur rrezikun e fenomeneve ekstreme të motit. Sipas një raporti të ri të Organizatës Botërore Meteorologjike (OBM), pasojat e kësaj rritjeje do të ndihen jo vetëm në vitet e ardhshme, por edhe për shekuj me radhë.

Të dhënat e raportit tregojnë se përqendrimi mesatar global i CO₂ në atmosferë arriti në 426,8 pjesë për milion (ppm) gjatë vitit 2025. Kjo shifër është 153% më e lartë se niveli i regjistruar përpara Revolucionit Industrial, në vitin 1750. Rekorde të reja u shënuan edhe për metanin dhe oksidin e azotit, dy gazra të tjerë serrë që çlirohen, ndër të tjera, nga aktivitetet njerëzore.

“Një vit tjetër, një rekord i ri. Gazrat serrë po bllokojnë në atmosferë një sasi të paprecedentë nxehtësie, duke nxitur fenomene meteorologjike gjithnjë e më ekstreme dhe duke rritur rreziqet për ekonomitë dhe shoqëritë tona”, deklaroi Ko Barrett, zëvendëssekretare e përgjithshme e OBM-së.

Sipas saj, 11 vitet e fundit kanë qenë më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë, ndërsa kjo prirje pritet të vazhdojë. Problemi kryesor është se dioksidi i karbonit qëndron për një kohë të gjatë në atmosferë, duke ndikuar në klimën e planetit për dekada dhe madje për shekuj.

Raporti shpjegon se rreth gjysma e CO₂ që çlirohet çdo vit mbetet në atmosferë, ndërsa pjesa tjetër përthithet nga pyjet, toka dhe oqeanet. Megjithatë, aftësia e këtyre sistemeve natyrore për të thithur karbonin mund të dobësohet nga thatësirat, zjarret pyjore dhe ndryshimet e kushteve klimatike.

Nga viti 2024 në vitin 2025, përqendrimi mesatar global i CO₂ u rrit me 2,8 ppm. Edhe pse kjo rritje ishte pak më e ulët se ajo e jashtëzakonshme e regjistruar gjatë periudhës 2023–2024, ajo mbetet mbi mesataren e dekadës së fundit.

Një nga faktorët që ndikoi në këtë situatë ishte fenomeni klimatik El Niño, i cili gjatë viteve 2023–2024 solli kushte më të thata në shumë zona, duke rritur rrezikun e zjarreve dhe duke ulur aftësinë e natyrës për të përthithur karbonin.

“Ritmi më i moderuar i rritjes së CO₂ nga viti 2024 në vitin 2025 lidhet me rimëkëmbjen e sistemeve natyrore që thithin karbonin dhe me uljen e emetimeve nga zjarret gjatë vitit 2025. Megjithatë, një rritje vjetore prej 2,8 ppm përfaqëson ende një sasi të konsiderueshme karboni që çlirohet në atmosferë nga djegia e lëndëve djegëse fosile”, shpjegoi Oksana Tarasova, zyrtare e lartë shkencore e OBM-së.

Parashikimet tregojnë se përqendrimi i gazrave serrë mund të rritet më tej gjatë vitit 2026, si pasojë e përdorimit të lëndëve djegëse fosile dhe ndikimit të mundshëm të një fenomeni të fuqishëm El Niño. Shkencëtarët paralajmërojnë gjithashtu se oqeanet mund të humbasin një pjesë të aftësisë së tyre për të përthithur CO₂.

OBM-ja publikon çdo vit raportin për gazrat serrë për të informuar negociatat ndërkombëtare për klimën. Të dhënat pritet të shërbejnë edhe në kuadër të Konferencës së OKB-së për Klimën, COP31, që do të mbahet në Antalia të Turqisë, nga 9 deri më 20 nëntor, ku synohet që angazhimet për mbrojtjen e klimës të kthehen në masa konkrete.