Falsifikuan dokumentet e veturave koreane për import në Kosovë, sekuestrohen pesë automjete

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se sot, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës – Njësinë për Hetimin e Autokrimeve Mitrovicë-Jugu, në kuadër të një hetimi penal që është duke u zhvilluar, ka realizuar kontroll në shtëpinë e të pandehurve në Vushtrri, me qëllim të gjetjes dhe sigurimit të provave materiale relevante për procedurën penale.

Veprimet hetimore janë ndërmarrë në kuadër të hetimeve lidhur me dyshimin e bazuar se të pandehurit, me dashje, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë falsifikuar dhe përdorur dokumente të falsifikuara publike gjatë procedurës së importimit dhe zhdoganimit të automjeteve.

Sipas dyshimeve të deritashme, më 06.07.2026, të pandehurit kanë përdorur dokumente të falsifikuara – librezat koreane të automjeteve duke manipuluar të dhënat që lidhen me datën e regjistrimit të parë të automjeteve, konkretisht, në dokumentet përkatëse është ndryshuar viti i regjistrimit të parë nga 2015 në 2016, me qëllim që automjetet të paraqiteshin si jo më të vjetra se dhjetë (10) vjet dhe, në këtë mënyrë, të mundësohej importimi i tyre në Republikën e Kosovës, në kundërshtim me nenin 44 paragrafi 2 të ligjit nr. 05/L-132 për automjete.

Dokumentet e dyshuara si të falsifikuara dyshohet se janë përdorur gjatë procedurës së importimit dhe zhdoganimit të pesë (5) automjeteve, me ç ‘rast për secilin automjet janë lëshuar Deklarata Unike Doganore (DUD), në të cilat është evidentuar në mënyrë të pasaktë se regjistrimi i parë i automjeteve ishte bërë gjatë vitit 2016, ndonëse nga provat e siguruara deri më tani rezulton se regjistrimi i tyre i parë ishte bërë gjatë vitit 2015. Pesë (5) veturat të cilave dyshohet se u janë falsifikuar dokumentet janë sekuestruar.

Lidhur me këtë rast, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 dhe nenin 77 paragrafi 1 nënparagrafët 1.2, 1.3 dhe 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në koordinim me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës, do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti dhe sigurimit të provave, në përputhje me dispozitat e kodit të procedurës penale.

By admin7