Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha, tha se Lidhja Demokratike e Kosovës “dëshiron përsëri zgjedhje”.
Pas takimit të mbrëmshëm ndërmjet Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut – i dyti mes tyre pas zgjedhjeve të 7 qershorit – Hoxha, duke iu referuar një deklarate të kryetarit të LDK-së, ironizoi duke e sulmuar partinë me të cilën LVV-ja po negocion për formimin e institucioneve të reja.
“Jo! LDK nuk ka apetit për kryetar kuvendi. Ajo synoi në zgjedhjet e fundit vetëm presidentin dhe kryeministrin Sepse LDK është si uji dhe zjarri”, shkroi ai në një postim në Facebook.
“LDK dëshiron përsëri zgjedhje. Kësaj here do të deklarojë jo më një tandem, por një treshe ku do të jetë edhe kryetari i Kuvendit. Pra, uji, zjarri dhe LDK”, shtoi Hoxha.
Abdixhiku tha mbrëmë pas takimit me Kurtin se ka kërkuar “të procesohet tutje me konstituimin e Kuvendit”, sepse “LDK-ja nuk ka asnjë apetit për kryetarin e Kuvendit, sepse është figurë ceremoniale”.



