Pesë zyrtarë të Listës Serbe ftohen në prokurori, dyshohen se falsifikuan dokumente komunale

Pesë zyrtarë të Listës Serbe – Igor Simiq, Ivan Zaporosaq, Ivan Todosijeviq, Zoran Todiq dhe Vasilije Tomaseviq – janë thirrur nga Prokuroria Themelore në Mitrovicën e Veriut për të dhënë deklarata më 13 gusht në cilësinë e të pandehurve.

Lajmi është bërë i ditur nga Lista Serbe, e cila pretendon se bëhet fjalë për një procedurë që lidhet me ngjarjet pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës në institucionet që funksiononin sipas sistemit të Serbisë në veri të Kosovës, veprim të cilin kjo parti e cilëson si “pushtim”.

Sipas Listës Serbe, zyrtarët e saj dyshohet se akuzohen për falsifikim dokumentesh, por partia pretendon se ata po ndiqen penalisht për shkak të funksioneve që kanë ushtruar në institucionet që Prishtina nuk i njeh

“Kjo është pjesë e një plani më të gjerë që synon persekutimin e popullit serb dhe vazhdimin e presionit institucional mbi të gjithë ata që qëndrojnë pranë popullit të tyre dhe mbrojnë të drejtën e tyre për mbijetesë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Procedura lidhet me zhvillimet pas nëntorit 2022, kur përfaqësuesit serbë, të udhëhequr nga Lista Serbe, u larguan kolektivisht nga institucionet e Kosovës, përfshirë policinë, gjyqësorin, komunat, Qeverinë dhe Kuvendin, në shenjë proteste për krizën e targave dhe duke kërkuar formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në periudhën pasuese, autoritetet e Kosovës morën nën administrim ose mbyllën një sërë institucionesh që funksiononin sipas sistemit të Serbisë në veri të vendit, përfshirë organet komunale, shërbimet administrative, qendrat për punë sociale, Postën e Serbisë, degët e Fondit Pensional dhe institucione të tjera.

Pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, Lista Serbe u rikthye në institucionet e vetëqeverisjes lokale të Kosovës dhe mori drejtimin e katër komunave me shumicë serbe në veri, ndërsa shumica e institucioneve që funksiononin në sistemin serb nuk e kanë rifilluar punën në veri, por veprojnë përtej vijës administrative.

Ky nuk është rasti i parë që autoritetet e drejtësisë në Kosovë zhvillojnë procedura ndaj ish-zyrtarëve të institucioneve që kanë vepruar në sistemin e Serbisë, pasi gjatë viteve të fundit janë hapur disa hetime lidhur me funksionimin e tyre. /EkonomiaOnline

By admin7