Seanca sot, LVV e LDK ende pa marrëveshje – çka thanë Kurti e Abdixhiku për konstituimin e Kuvendit

Kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku u takuan të martën dhe të mërkurën, pa arritur ndonjë marrëveshje për formimin e institucioneve.

Pas takimit të së martës, Kurti tha se “nuk është kollaj” t’i tejkalojnë “të gjitha gjërat” para seancës konstituive të Kuvendit, e cila mbahet sot në orën 10:00.

“Kemi folur për rrugën përpara në bashkëpunimin e Lëvizjes Vetëvendosje me LDK-në, dhe meqenëse kemi pasur situata të pothuajse edhe rivalitetit në Kuvend shumë shpesh, nuk është kollaj tash që për këto, s’mund të them as pak ditë, por madje pak orë para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit, ne t’i tejkalojmë të gjitha gjërat. Megjithatë, po punojmë maksimalisht”, tha ai.

Abdixhiku kërkoi “balancë demokratike” dhe tha se do të insistojnë që “të ruhet demokracia e Kosovës dhe që LDK-ja, në qoftë se mund të arrijë partneritet me palën tjetër, të ndjehet e përfaqësuar”.

Ai përmendi seancën konstituive të Kuvendit, ku do të zgjedhjet kryeparlamentari dhe nënkryetarët. Tha se LDK-ja “nuk ka asnjë apetit” për pozitën e kryetarit të Kuvendit.

“Në qoftë se deri më datë 6 gusht nuk ndodh asgjë, kemi kërkuar që të vazhdohet, të procesohet tutje me konstituimin e Kuvendit, sepse s’ka nevojë që të pritet. LDK-ja nuk ka asnjë apetit për kryetarin e Kuvendit sepse është figurë ceremoniale e cila duhet të përfaqësojë, siç e thotë Kushtetuta, propozimin e partisë së parë, dhe në këtë drejtim, LDK-ja e jep emrin e vet për nënkryetar të Kuvendit”, tha ai.

Për çështje të tjera, Abdixhiku tha se do të ketë “afat kohor shtesë”, duke iu referuar afateve të tjera për zgjedhjen e Presidentit dhe të qeverisë së re.

Kurti dhe Abdixhiku zhvilluan një takim të paparalajmëruar edhe dje pasdite. Pas këtij takimi kryetari i LVV-së tha se nuk kishin arritur marrëveshje.

Procedura për konstituimin e Kuvendit

Seanca konstituive udhëhiqet nga deputeti më i vjetër dhe ai më i riu në sallën e Kuvendit.

Fillimisht formohet një komision i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.

Pasi të kryhet kjo, deputetët betohen.

Kryetarin e Kuvendit e propozon grupi më i madh parlamentar, siç përcaktohet në nenin 67 të Kushtetutës. Ai zgjidhet me shumicë të votave të të gjithë deputetëve (61 nga 120).

Deputetët duhet t’i zgjedhin edhe 5 nënkryetarë të Kuvendit, 3 prej të cilëve propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, kurse dy nga komunitetet joshumicë.

By admin7