Donis Avdijaj po e nis me ambicie të mëdha sezonin e ri me Wolfsberger AC, duke synuar që pas disa vjetësh me ulje-ngritje në karrierë, të rikthehet në nivelet ku dikur premtonte shumë.
Sulmuesi 29-vjeçar ka dhënë një sinjal pozitiv në startin e sezonit të ri në Bundesligën austriake, duke regjistruar një asistim në dy ndeshjet e para.
Në një intervistë ekskluzive për Indeksonlinen, Avdijaj ka folur për fillimin e sezonit, objektivat e tij personale dhe ato të Wolfsbergerit, bashkëpunimin me shqiptarin tjetër në skuadër, Giacomo Vrionin, si dhe mundësinë e rikthimit te Kombëtarja e Kosovës.

Avdijaj është një emër që dikur konsiderohej si një prej talenteve më të mëdha të futbollit kosovar. Në periudhën e tij te Schalke 04, ai shihej si një futbollist me të ardhme të madhe, ndërsa vlera e tij e parashikuar në treg kishte arritur deri në rreth 50 milionë euro.
Megjithatë, karriera nuk shkoi sipas pritshmërive fillestare. Avdijaj pati periudha të ndryshme dhe veshi fanellat e disa klubeve, përfshirë Sturm Graz-in, Schalke-n 04, Trabzonspor-in, Zurich-un dhe Hartberg-un.
Sot, vlera e tij në Transfermarkt llogaritet rreth 500 mijë euro, por vetë futbollisti beson se ende ka shumë për të treguar.
“E kemi nisur shumë mirë sezonin. Jam shumë i kënaqur me skuadrën dhe me mënyrën se si po luajmë. Kemi një ekip shumë të mirë, kemi bërë disa ndryshime të rëndësishme, por gjithçka është bërë me shumë sens dhe strukturë”, ka deklaruar Avdijaj për Indeksonlinen.
Ai thotë se tani synimi është që Wolfsbergeri të vazhdojë me të njëjtin ritëm dhe të përmirësohet nga ndeshja në ndeshje.
Por ambiciet e Avdijajt janë edhe më të mëdha në planin individual.
“Dua të jem në mesin e lojtarëve më të mirë të Bundesligës dhe të kem shumë gola dhe asistime. E di çfarë mund të bëj dhe çfarë kam treguar ndër vite”, është shprehur ai.
Për Wolfsbergerin, objektivi është lufta për pozitat e larta në tabelë.
“Kemi cilësi për ta bërë këtë”, ka theksuar Avdijaj.

Dyshe shqiptare me Vrionin
Një element i ri në skuadrën e Wolfsbergerit është edhe prania e Giacomo Vrionit, me të cilin Avdijaj mund të formojë një dyshe shqiptare në repartin ofensiv.
29-vjeçari thotë se raportet mes tyre janë shumë të mira dhe beson se në fushë mund të krijojnë një kombinim interesant.
“Është gjithmonë bukur kur ke një shqiptar tjetër në skuadër, sepse kuptohemi shumë mirë edhe jashtë futbollit. Në fushë kemi cilësi dhe mendoj se mund të krijojmë një dyshe shumë të mirë. Tani duhet vetëm ta tregojmë këtë në ndeshje”, ka thënë ai.

Avdijaj nuk e mbyll derën e Kosovës
Një prej pikave më të rëndësishme të intervistës ishte edhe Kombëtarja e Kosovës.
Avdijaj prej një kohe nuk është ftuar te “dardanët”, në një situatë që është shoqëruar me problemet e njohura të së kaluarës mes futbollistit dhe strukturave të FFK-së.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, Avdijaj tregon se dera për Kosovën mbetet e hapur. Ai nuk dëshiron të flasë publikisht për kontaktet apo bisedat private me trajnerin Franco Foda, por thekson se respekti i tij për Kombëtaren… dhe trajnerin është i pandryshuar.
“Unë gjithmonë e kam thënë që Kombëtarja e Kosovës është diçka shumë e veçantë për mua. Nëse vjen një ftesë, unë jam gjithmonë i gatshëm të jap maksimumin për Kosovën. Për momentin nuk dua të flas shumë për kontakte apo gjëra që janë diskutuar privatisht. Respektin për trajnerin dhe Kombëtaren… e kam gjithmonë, dhe nëse vjen mundësia për t’u rikthyer, do të jem i gatshëm”, ka deklaruar Avdijaj për Indeksonline.net




