Beograd – Një 47-vjeçar me inicialet D.M. është arrestuar sot në pikën kufitare të Batrovcit, nën dyshimin për kryerjen e një krimi lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999 në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç, sipas të cilit ekzistojnë baza dyshimi se D.M. ka kryer veprën penale gjatë qershorit të vitit 1999 në fshatin Bec të komunës së Gjakovës, ndaj anëtarëve të dy familjeve.
Sipas autoriteteve serbe, i dyshuari fillimisht është ndaluar për 48 orë dhe, së bashku me kallëzimin penal, është dërguar në Zyrën e Prokurorit Publik për Krime Lufte në Beograd.
Më pas, gjyqtari për procedurë paraprake i Gjykatës së Lartë në Beograd – Departamenti për Krime Lufte – ka vendosur që ndaj tij të caktohet paraburgim deri në 30 ditë.
Arrestimi është kryer nga pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, përkatësisht Shërbimit për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me policinë kufitare.
Sipas informacioneve që qarkullojnë, i arrestuari dyshohet të jetë shqiptar nga Kosova, megjithatë kjo rrethanë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet dhe emri i tij i plotë nuk është bërë publik.
Rasti lidhet me ngjarjet e muajit qershor 1999, në ditët e fundit të luftës në Kosovë. Hetimet pritet të përcaktojnë rrethanat dhe përgjegjësinë eventuale të të dyshuarit.
D.M. konsiderohet i dyshuar dhe jo person i dënuar, ndërsa përgjegjësia penale do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të procedurës gjyqësore.



