Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër situatën aktuale institucionale në vend, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e bllokon funksionimin e Kuvendit dhe po e mban Kosovën në krizë politike.
Haradinaj tha se ditët po kalojnë ndërsa Kuvendi mbetet i pakonstituuar, duke e cilësuar këtë si “djegie të mandatit” të deputetëve të zgjedhur.
“Ditët po kalojnë, seanca, Kuvendi është inekzistent. E vërtetë që është djegie e mandatit të atyre që janë zgjedhur, djegie e mundësisë dhe kjo po ndodh nga regjimi i Kurtit”.
Sipas tij, mos-thirrja e seancës me arsyetimin se mungesa e një marrëveshjeje mund të shkaktojë tensione apo dhunë në Kuvend është vetëm një arsyetim.
“Ai e ka instaluar veten mbi Kushtetutën, institucionet dhe mbi çdo obligim kushtetues dhe ligjor. Mos-thirrja e seancës me arsyetimin se nëse s’ka marrëveshje ndodh dhunë në seancë, është vetëm alibi”.
Haradinaj ka folur edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar edhe këtë si një “alibi” për zvarritjen e procesit.
Ai ka propozuar një zgjidhje që lidhet drejtpërdrejt me ish-presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se vazhdimi i mandatit të tij do të ishte një mundësi për të shmangur mbajtjen peng të vendit.
“Çështja e marrëveshjes për president edhe kjo është alibi që ndodh qëllimshëm.”
“Është nder edhe i kësaj legjislature që t’ia vazhdojmë mandatit presidentit Thaçi, atij i është marrë mandati, dhe me kthimin e tij, është në nderin tonë si shqiptarë, si komb, për shkak të një kundërpërgjigjeje armiqve të Kosovës, që t’ua vazhdojmë mandatin”, u shpreh ai.



