Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, ka reaguar ndaj qëndrimeve të BDI-së për ruajtjen e modelit të qeverisë teknike, duke e cilësuar këtë si “hipokrizi të pastër” dhe përpjekje për shtrembërim të realitetit politik.
Sipas saj, qeveria teknike nuk ka qenë standard demokratik për t’u mbrojtur, por një zgjidhje emergjente e imponuar nga kriza politike e vitit 2015, e shkaktuar, siç tha, nga skandalet dhe bashkëqeverisja ku BDI kishte rol aktiv.
Imeri Stafai theksoi se ky mekanizëm ishte krijuar vetëm për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në një periudhë kur shteti përballej me krizë të thellë institucionale, ndërsa sot, sipas saj, ai është tejkaluar.
Ajo rikujtoi se edhe vetë BDI-ja në vitin 2023 kishte dhënë miratim për heqjen e qeverisë teknike, duke ngritur pyetjen nëse atëherë partia ishte konsultuar me ndërkombëtarët për një vendim të tillë.
Deputetja e VLEN vlerësoi se konteksti politik i vitit 2015 nuk ekziston më dhe se vendi, si anëtar i NATO-s, ndodhet në një fazë tjetër stabiliteti institucional dhe demokratik. Ajo theksoi se zgjedhjet e fundit lokale janë vlerësuar si ndër më demokratiket, duke argumentuar se nuk ka më nevojë për “mekanizma krize”.
“Vendi ka nevojë për institucione funksionale dhe zgjedhje që organizohen nga qeveri me mandat të plotë, jo për modele të përkohshme që i përkasin së kaluarës”, ka theksuar Imeri Stafai, duke shtuar se insistimi për qeveri teknike është përpjekje për të penguar zhvillimin demokratik.


