BDI: Jo vetëm një, por plot pesë tenderë për kushëririn e drejtorit të VLEN-it në “Bardovcë”

Bashkimi Demokratik për Integrim ka ngritur akuza të reja për tenderët në Spitalin Psikiatrik “Bardovcë”, duke pretenduar se kompania “Indigo Inc” DOOEL Shkup, e lidhur me kushëririn e drejtorit Isa Avdullai, ka fituar pesë kontrata nga institucioni pasi ai mori drejtimin e tij.

Sipas BDI-së, tenderi i parë është nënshkruar më 15 tetor 2024, vetëm tre muaj pasi Avdullai ishte emëruar ushtrues detyre drejtor. Nga kjo parti thonë se kontrata, me vlerë deri në 600 mijë denarë, mban edhe nënshkrimin e vetë drejtorit.

Në reagim pretendohet se “Indigo Inc” më pas ka fituar edhe katër tenderë të tjerë nga i njëjti spital. Mes tyre përmendet edhe tenderi i këtij viti për sisteme të teknologjisë informative dhe licenca, me vlerë deri në 2,59 milionë denarë, apo rreth 42 mijë euro.

BDI thekson se pronari i kompanisë, Besim Avdullai, është kushëri i drejtorit Isa Avdullai dhe se kjo lidhje familjare është pranuar edhe nga vetë drejtori.

Sipas partisë opozitare, ndryshimi i funksionit drejtues në kompani, pak para tenderit të parë, nuk e eliminon lidhjen familjare dhe nevojën për shqyrtimin e procedurave. Për këtë arsye, BDI kërkon hetim të plotë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Byroja për Prokurime Publike dhe institucionet e tjera kompetente. Partia kërkon të kontrollohen kriteret e tenderëve, ofertat, kompanitë pjesëmarrëse dhe mënyra e përzgjedhjes së fituesit në të pesë procedurat.

Sipas BDI-së, nuk mjaftojnë deklaratat se procedurat kanë qenë të ligjshme apo se drejtori nuk ka qenë pjesë e komisioneve të përzgjedhjes.

“Kur një kompani e lidhur familjarisht me drejtuesin e një institucioni publik fiton pesë tenderë nga i njëjti institucion, transparenca dhe kontrolli i plotë i procedurave janë detyrim, jo zgjedhje”, thuhet në reagim. Nga BDI kërkojnë që ligjshmëria e procedurave të argumentohet me dokumente, duke shtuar se paratë publike nuk janë “pronë familjare” dhe se Spitali Psikiatrik “Bardovcë” nuk mund të shndërrohet, siç shprehen ata, në “biznes familjar të VLEN-it”.

Partia e Ali Ahmetiti kërkon transparencë të plotë, hetim institucional dhe përgjegjësi, ndërsa shtron pyetjen se si kompania e kushëririt të drejtorit ka arritur të fitojë pesë tenderë në institucionin që ai drejton. Akuzat e BDI-së mbeten pretendime politike, ndërsa institucionet kompetente dhe përfaqësuesit e VLEN-it pritet të japin qëndrimin e tyre lidhur me rastin.

By admin7