E turpshme: Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi ngushëllon djalin e njeriut që kreu gjenocid në Srebrenicë

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe lideri i Demokracisë së Re Serbe (NSD), Andrija Mandiq, ka vendosur t’i shprehë ngushëllime Darko Mlladiqit, djalit të kriminelit të luftës dhe ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiq, pas vdekjes së tij.

“Pak më parë i shpreha ngushëllimet Darko Mlladiqit, në emrin tim dhe në emër të Demokracisë së Re Serbe, për vdekjen e babait të tij, gjeneralit Ratko Mlladiq”, shkroi Mandiq në platformën X.

Ratko Mlladiq, i njohur si “Kasapi i Ballkanit”, vdiq në moshën 84-vjeçare në njësinë e paraburgimit të Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale në Scheveningen të Holandës.

Mlladiq ishte dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Dënimi i tij u konfirmua përfundimisht në vitin 2021.

Vendimi i Mandiqit për të shprehur ngushëllime për familjen e Mlladiqit ka shkaktuar reagim të ashpër nga eurodeputetja kroate Suncana Glavak.

“Dënoj në mënyrën më të ashpër hapin e turpshëm dhe të papranueshëm të kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi”, deklaroi Glavak.

Ajo theksoi se Mandiq nuk është person privat, por kryetar i parlamentit të një shteti që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndaj mesazhet e tij publike kanë peshë politike dhe institucionale.

Glavak tha se theksimi i gradës së gjeneralit të Mlladiqit, ndërsa anashkalohen krimet për të cilat ai është dënuar, përbën “relativizim të papranueshëm të gjenocidit dhe mungesë të thellë respekti ndaj viktimave”.

Mandiq është një nga figurat më kontraverse në politikën e rajonit dhe njihet kryesisht për këto orientime dhe qëndrime proruse e proserbe.

Njihet hapur për lidhjet e tij të ngushta me udhëheqjen e Serbisë (Aleksandër Vuçiq) dhe me Federatën Ruse. Ka qenë vazhdimisht kundër njohjes së Kosovës si shtet i pavarur nga ana e Malit të Zi. Ka udhëhequr protesta dhe ka kundërshtuar anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën e Atlantikut Verior (NATO).

By admin7