Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar në zonën e Malit të Robit, në Golem, pas ndërhyrjes në kohë të Policisë. Një 47-vjeçar, i armatosur me kallashnikov, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë, ishte nisur drejt një hoteli me qëllim për të vrarë personat që kishin dhunuar nipin e tij 18-vjeçar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe Stacionit të Policisë Golem ndërhynë pas marrjes së informacionit për një konflikt në hotel. Gjatë veprimeve të para hetimore u konstatua se 18-vjeçari, i cili punonte si kamerier në lokalin e hotelit, ishte dhunuar nga katër persona, për shkak të mosdhënies së pagesës për punën e kryer.
I riu, identiteti i të cilit është G. N., ndodhet në Spitalin e Kavajës nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, në rrugë operative, Policia mori informacion se xhaxhai i tij, shtetasi M. N., 47 vjeç, banues në Kavajë, ishte armatosur dhe po udhëtonte drejt hotelit për t’u hakmarrë ndaj personave që kishin dhunuar nipin.
Policia e ndaloi automjetin e 47-vjeçarit në afërsi të hotelit. Gjatë kontrollit të automjetit, në një çantë shpine u gjet një armë zjarri automatik, kallashnikov, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.
Nga hetimet rezultoi gjithashtu se pas konfliktit, vendngjarja ishte pastruar, ndërsa DVR-ja e kamerave të sigurisë ishte hequr dhe kabllot e kamerave ishin prerë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Policia arrestoi në flagrancë F. H., 28 vjeç, dhe E. D., 20 vjeç, të dy banues në Kavajë. Në kërkim u shpall A. F., 36 vjeç, ndërsa M. M., 36 vjeç, u procedua në gjendje të lirë.
Në pranga përfundoi edhe M. N., 47 vjeç, i cili u kap i armatosur në automjet.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive të të gjithë personave të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



