Koalicioni VLEN u është përgjigjur akuzave të Bashkimit Demokratik për Integrim lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në polici, duke e akuzuar partinë opozitare për manipulim të të dhënave dhe përzierje të dy procedurave të ndryshme.
Nga VLEN-i thonë se BDI po përpiqet ta paraqesë konkursin për punësim në polici dhe atë për pranimin e nxënësve në shkollën e mesme për policë si një proces të vetëm, ndonëse, sipas tyre, bëhet fjalë për dy procedura krejtësisht të ndara.
“Është gënjeshtër e pastër përpjekja e BDI-së për të përzier konkursin për punësim në polici me konkursin për nxënës në shkollën e mesme për policë. Janë dy procedura krejtësisht të ndryshme”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Koalicioni qeverisës shqiptar e cilëson këtë si përpjekje të BDI-së për të krijuar perceptim të rremë në opinion, duke pretenduar se partia opozitare, në mungesë të fakteve dhe argumenteve, shpik shifra dhe krijon panik.
VLEN-i ka drejtuar kritika edhe ndaj rolit të ish-zëvendësministrave të BDI-së në qeveritë e kaluara, duke pyetur se ku ishin ata kur, siç thuhet në reagim, ministra të caktuar i quanin shqiptarët “terroristë”.
“Ku ishin zëvendësministrat e BDI-së kur qëndronin krah ministrave që i quanin shqiptarët ‘terroristë’? Ku ishin kur një ministër deklaronte se nuk i jepte të drejtë një shqiptari të fliste vetëm pse e kishte dënuar? Atëherë heshtën. Sot bëjnë moral”, thekson VLEN-i.
Sipas koalicionit, BDI nuk ka kredibilitet moral dhe politik për të folur për përfaqësimin e shqiptarëve pas 22 vitesh në pushtet. VLEN-i vlerëson se shqiptarët nuk kanë nevojë për leksione nga ata që, sipas tij, heshtën kur duhej të reagonin, ndërsa sot i përdorin këto çështje për të mbuluar dështimet politike.
Në fund të reagimit, VLEN-i deklaron se nuk do të lejojë që, siç shprehet, “gënjeshtrat e BDI-së t’i zëvendësojnë faktet”, duke shtuar se koha e manipulimit të shqiptarëve me skenarë të fabrikuar ka përfunduar



