Meloni “thyen” rekordin e Berlusconit, qeveria e saj bëhet më jetëgjata në historinë e Italisë

Qeveria e drejtuar nga Giorgia Meloni ka vendosur një rekord historik në Itali, duke u bërë qeveria më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane.

Kabineti i saj ka arritur në 1,413 ditë në pushtet, duke kaluar me një ditë rekordin e mëparshëm të vendosur nga qeveria e dytë e Silvio Berlusconit.

Meloni e ka komentuar këtë moment përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku ka shprehur mirënjohje, por edhe përgjegjësi për vazhdimin e mandatit.

“Sot qeveria jonë bëhet qeveria më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. E mirëpres këtë me mirënjohje dhe një ndjenjë të fortë përgjegjësie.”

Sipas kryeministres italiane, jetëgjatësia e një qeverie nuk duhet parë thjesht si një rekord politik.

“Stabiliteti nuk është një rekord për t’u mburrur, por kushti që i lejon një kombi të planifikojë, të vendosë, të mbajë angazhimet e tij dhe të respektohet”, theksoi Meloni.

Giorgia Meloni, e cila u bë në vitin 2022 gruaja e parë që drejton qeverinë italiane, tashmë mban edhe rekordin për mandatin më të gjatë qeverisës në historinë e Republikës Italiane.

Qeveria e saj u inaugurua më 22 tetor 2022 dhe ka arritur në 1,413 ditë në detyrë.

Rekordi i mëparshëm i përkiste Silvio Berlusconit, i cili drejtoi qeverinë e tij të dytë nga 11 qershori 2001 deri më 23 prill 2005, për një total prej 1,412 ditësh.

Kryeministrja italiane ka vlerësuar gjithashtu punën e bërë nga qeveria e saj gjatë viteve të fundit.

“Në vitet e fundit kemi punuar për të rritur punësimin, për të ulur papunësinë, për të mbështetur familjet dhe bizneset, për të forcuar sigurinë, për të menaxhuar seriozisht financat publike dhe për të rikthyer ndikimin dhe besueshmërinë e Italisë në skenën ndërkombëtare”, deklaroi ajo.

“Rezultatet janë aty, por ne e dimë shumë mirë se sa shumë mbetet ende për t’u bërë”, shtoi Meloni.

Në reagimin e saj, kryeministrja italiane iu referua edhe zgjedhjeve të ardhshme, që pritet të zhvillohen në pranverën e vitit 2027.

“Vitin tjetër do t’u rikthehemi qytetarëve me atë që kemi bërë, me atë që mbetet për t’u bërë dhe me vizionin tonë për të ardhmen. Dhe ata do të vendosin përsëri nëse ne e meritojmë të vazhdojmë në këtë rrugë”, u shpreh Meloni.

By admin7