Dogana me njoftim për udhëtarët në Aeroportin e Prishtinës: Mallrat mbi 430 euro duhet të deklarohen

Dogana e Kosovës u ka bërë thirrje udhëtarëve që hyjnë në vend përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës që të respektojnë procedurat doganore dhe të deklarojnë mallrat që tejkalojnë kufirin e lejuar.

Puna e përditshme e zyrtarëve doganorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës përfshin informimin e udhëtarëve, kontrollin e bagazheve dhe zbatimin e procedurave doganore, me qëllim parandalimin e shkeljeve dhe mbrojtjen e interesave ekonomike të Republikës së Kosovës.

Udhëtarët që kalojnë përmes kanalit të gjelbër, duke deklaruar se nuk kanë mallra për të deklaruar, mund t’i nënshtrohen kontrolleve doganore. Gjatë këtyre kontrolleve, zyrtarët doganorë përdorin edhe skanerin, si pajisje ndihmëse për kontrollin e bagazheve dhe identifikimin e mallrave që mund të jenë objekt i deklarimit.

Dogana e Kosovës rikujton se për udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës përmes trafikut ajror, kufiri i patatueshëm për mallrat e destinuara për nevoja personale është 430 euro për udhëtar.

Në rastet kur vlera e mallrave për nevoja personale tejkalon këtë kufi, mallrat duhet të deklarohen në kanalin e kuq, ku zyrtari doganor do ta informojë udhëtarin për procedurat e mëtejshme doganore.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesave të qytetarëve, ruajtjen e ekonomisë, parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, si dhe të çdo forme tjetër të veprimtarisë së paligjshme.

Informimi dhe deklarimi i saktë i mallrave janë pjesë e rëndësishme e një udhëtimi të sigurt dhe në përputhje me legjislacionin doganor.