LVV: Do të votojmë Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën

Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se ka mbajtur sonte një mbledhje të jashtëzakonshme, ku ka diskutuar situatën institucionale pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.

Në komunikatën e publikuar pas mbledhjes, LVV ka thënë se vendi ndodhet në një moment vendimtar për krijimin e stabilitetit institucional dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

Sipas LVV-së, zgjedhjet e parakohshme të përsëritura do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet, duke i cilësuar ato si të panevojshme për shtetin dhe qytetarët, si dhe të kushtueshme për buxhetin.

LVV ka bërë të ditur se, pavarësisht qëndrimit të saj se është e gatshme të votojë për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e PDK-së dhe LDK-së, me kusht që ata të mos bojkotojnë zgjedhjen e presidentit, Kryesia ka marrë vendim që nesër t’i votojë kandidatët Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala.

“Presim që pas konstituimit të Kuvendit ky hap i vullnetit të mirë të reflektojë në konstruktivitet të tyre duke votuar për president, qoftë ajo edhe votë kundër”, thuhet në komunikatën e LVV-së.

Në komunikatë, LVV ka rikujtuar edhe situatën e krijuar pas zgjedhjeve të vitit 2025, kur, sipas saj, si subjekt fitues me partnerët e koalicionit parazgjedhor dhe deputetët e komuniteteve kishte 57 deputetë.

Sipas LVV-së, pavarësisht se i mungonin vetëm katër vota për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ajo kishte ndryshuar katër herë emrin e kandidatit për këtë pozitë, në zbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në fund, LVV ka theksuar se nesër do ta votojë Vlora Çitakun në rast se ajo ripropozohet nga PDK-ja.

“E pra, ne kemi vendosur t’i votojmë Vlora Çitakun e Kujtim Shalën, edhe nëse nuk i ndërrojnë emrat e kandidatëve qysh bëmë ne”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, LVV ka shprehur pritjen që deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, nëse zgjidhet nënkryetar i Kuvendit, të marrë pjesë në seancën ku pritet të votohet për presidentin Bekim Sejdiu, në kuadër të marrëveshjes së pretenduar LVV-LDK.

Seanca konstituive e Kuvendit pritet të vazhdojë nesër në orën 10:00.