Pjesëmarrja e Fredi Belerit në ceremoninë përkujtimore për Kostandin Kacifasin ka rikthyer në vëmendje një nga ngjarjet më të rënda të historisë sonë: Masakrën e Peshkëpisë, ku më 10 prill 1994 u vranë oficeri Fatmir Shehu dhe ushtari Arsen Gjini.
Prania e flamujve të të ashtuquajturit „Vorio Epir”, sipas pamjeve dhe reagimeve të publikuara, ngre pikëpyetje serioze për mesazhet që përcillen në këto aktivitete.

Fredi Beleri është përmendur në hetimet e mëparshme lidhur me Masakrën e Peshkëpisë, por deri më sot nuk është shpallur fajtor për këtë ngjarje. SPAK i mbylli hetimet në vitin 2021, duke argumentuar mungesën e provave të mjaftueshme.
Prandaj, lindin pyetje që kërkojnë përgjigje institucionale:
Çfarë ka ndodhur me kërkesat e depozituara për këtë çështje?
A do të bëhet gjithçka për zbardhjen e plotë të Masakrës së Peshkëpisë?
A do të marrin familjarët e Fatmir Shehut dhe Arsen Gjinit drejtësinë që presin prej më shumë se tri dekadash?
Kujtimi i dy ushtarakëve të rënë në krye të detyrës nuk duhet të mbetet vetëm në ceremoni përkujtimore dhe fjalime zyrtare.
Drejtësi për Fatmir Shehun dhe Arsen Gjinin! E vërteta për Peshkëpinë duhet të zbardhet!



