AUV zbulon aflatoksinë në misër dhe ushqim për viça nga një kompani në Gjilan

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka zbuluar nivele të tejkaluara të aflatoksinës në produkte të një kompanie nga Gjilani, gjatë kontrolleve kufitare dhe inspektimeve në tregun e brendshëm.

Sipas raportimit të KosovaPress-it, gjatë kontrollit të një ngarkese prej 25 mijë e 120 kilogramësh misër merkantil, analizat laboratorike të AUV-së kanë evidentuar aflatoksinë B1 në nivel prej 30 µg/kg, ndërsa analizat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) kanë konfirmuar aflatoksinë totale prej 47 µg/kg, mbi vlerën referente prej 10 µg/kg të përmendur në raport.

Pas rezultateve laboratorike, Inspektorati Fitosanitar i AUV-së ka vendosur refuzimin e importit dhe kthimin e ngarkesës në vendin e origjinës.

Ndërkohë, gjatë inspektimeve të mëtejshme, aflatoksinë B1 mbi nivelin e lejuar është konstatuar edhe në produktin “Ushqim për viça deri 300 kg”. Për këtë produkt, AUV ka ndaluar shitjen dhe ka urdhëruar tërheqjen e tij nga qarkullimi.

Aflatoksina B1 është një substancë toksike që prodhohet nga disa lloje myqesh dhe paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve. Ekspozimi afatgjatë mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit.

Shqetësim i veçantë paraqet edhe mundësia që kjo toksinë, te kafshët qumështore, të kalojë në qumësht në formën e aflatoksinës M1, duke krijuar rrezik potencial për sigurinë ushqimore.

AUV ka ndërmarrë masa për ndalimin e qarkullimit të produkteve të identifikuara, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe sigurisë ushqimore.