Ndërkohë që afatet kushtetuese po ngushtohen dhe skena politike në Kosovë ndodhet para sfidës për të gjetur një pasardhës të denjë në krye të shtetit, emri i intelektualit dhe publicistit të njohur, Blerim Shala është një prej figurave më serioze kontributdhënëse për të marrë rolin e presidentit konsensual të Kosovës.
Blerim Shala nuk është një emër i panjohur për proceset shtetndërtuese; përkundrazi, ai përfaqëson një nga shtyllat e mendimit politik dhe angazhimit diplomatik të Kosovës në tri dekadat e fundit.
Kontributi i tij daton që nga vitet e vështira të okupimit, kur përmes gazetarisë guximtare në revistën “Zëri”, ai u shndërrua në një zë kritik dhe udhërrëfyes për lëvizjen demokratike.
Ky rrugëtim intelektual do të shërbehej si bazë për angazhimin e tij direkt në tavolinat më të rëndësishme të vendimmarrjes botërore, duke qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Rambouillet në vitin 1999, ku u hodhën themelet e lirisë së vendit.
Përvoja e tij u çimentua më tej gjatë procesit të Vjenës (2005-2007), ku në cilësinë e zëvendëskryenegociatorit, Shala luajti një rol kyç në hartimin e Pakos së Ahtisaarit, dokumenti mbi të cilin u shpall pavarësia e Kosovës. Njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se aftësia e tij për të analizuar situatat komplekse gjeopolitike dhe për të ndërtuar konsensus mes palëve të ndryshme, e bën atë një kandidat ideal për postin e Presidentit, i cili sipas Kushtetutës duhet të jetë simbol i unitetit.
Përtej angazhimit si deputet dhe këshilltar politik në nivelet më të larta të presidencës, Shala ka mbetur një autor i palodhur dhe një mendimtar që ka dokumentuar rrugëtimin e shtetit të Kosovës përmes botimeve të shumta. Në rrethanat aktuale, kur Kuvendi kërkon një shumicë prej 80 votash, figura e tij shihet si një mundësi reale për të bashkuar spektrin politik rreth një personaliteti që gëzon integritet moral dhe profesional. Propozimi i tij si President konsensual nuk shihet thjesht si një zgjidhje teknike, por si një vlerësim për një kontribues të madh që i ka qëndruar besnik interesave shtetërore në çdo etapë historike të Kosovës.

