Shqipëria e pëson humbjen e parë, mposhtet në Finlandë dhe e humbë kreun

Kombëtarja e Shqipërisë është mposhtur në xhiron e tretë të Ligës C të Ligës së Kombeve.

“Kuqezinjtë” janë mposhtur nga Finlanda në Helsinki, me këtë të fundit që u kthye nga disavantazhi për të marrë tri pikët e plota.

Shqipëria doli e para në epërsi, me anë të Rey Manajt, në minutën e katërt.

Manaj shënoi me kokë, pas asistimit nga Kristjan Asllani nga goditja e këndit.

Gjithçka po shkonte mirë për Shqipërinë, deri në minutën e 22-të.

Etrit Berisha u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje në një nga sulmuesit e Finlandës jashtë 16-shit, dhe nga ajo ndërpreje Shqipëria pësoi gol.

Leo Walta shënoi në minutën e 26-të nga goditja e dënimit, duke mposhtur Alen Sherrin, i cili u fut në lojë në vend të Arbër Hoxhës.

Pjesa e parë u mbyll me këto shifra, teksa Shqipëria e fokusonte lojën vetëm në kundërsulme.

Në pjesën e dytë, Shqipëria pati dy mundësi të mira me anë të Stavro Pilos, por që ky i fundit nuk i konkretizoi.

Në minutën e 72-të, Finlanda e mori epërsinë në këtë përballje, pasi edhe një herë shënoi gol nga goditja e dënimit.

Ishte përsëri Leo Walta që shënoi nga fauli, duke e mposhtur prapë Sherrin.

Shqipëria më nuk pati fuqi të barazojë rezultatin e as Finlanda nuk e shtoi epërsinë dhe ndeshja u mbyll 2-1 në të mirë të vendasve.

Me këtë fitore, Shqipëria bie në vendin e dytë, me gjashtë pikë nga tri ndeshje, teksa Finlanda shkon në kuotën e shtatë pikëve.

Ndeshjen e ardhshme, Shqipëria e pret San Marinon më 6 tetor, ndërsa po të njëjtën ditë, Finlanda i shkon Bjellorusisë./GazetaExpress/