VLEN: Kosova dëshmoi forcën e demokracisë, urime Presidentes së re

Nga VLEN kanë përshëndetur zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke vlerësuar se zgjedhja e Presidentes së re dhe dakordimi politik për ndryshimet ligjore dëshmojnë rëndësinë e dialogut dhe respektimit të institucioneve.

“Kosova dëshmoi se demokracia, dialogu politik dhe respektimi i institucioneve janë rruga për të tejkaluar edhe situatat më të vështira politike”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Nga koalicioni theksojnë se zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Kosovës i jep fund, sipas tyre, ngërçit institucional dhe krijon mundësi për rikthimin e plotë të funksionimit të institucioneve.

“Presidentes së re i urojmë sukses në detyrën e saj dhe besojmë se përvoja e saj në politikë, arsim dhe shkencë do t’i shërbejë forcimit të institucionit të Presidentit dhe stabilitetit të vendit”, thuhet në reagim.

VLEN ka përshëndetur gjithashtu konsensusin politik për miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.

Sipas koalicionit, dakordimi politik për këtë çështje tregon se përmes dialogut dhe vullnetit për kompromis mund të gjenden zgjidhje edhe për temat më të ndjeshme politike.

“Tash është koha që institucionet të funksionojnë, politika të fokusohet te qytetarët dhe Kosova të ecë përpara me stabilitet, përgjegjësi dhe demokraci”, përfundon reagimi i VLEN-it.