Bërvenica, çfarë tregojnë numrat?

Shkruan: Florian Nesimi

Në zgjedhjet lokale të 18 tetorit, pyetja kryesore në Bërvenicë do të jetë nëse shqiptarët mund ta rikthejnë komunën. Por për ta kuptuar këtë, duhet të shohim se si kanë lëvizur votat gjatë dy viteve të fundit, sepse numrat tregojnë se në Bërvenicë votuesi më tepër e voton kandidatin se sa partinë.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, VLEN-i mori 1.795 vota, ndërsa Fronti Evropian 1.573. Pra, vetëm 222 vota diferencë. Kjo tregon se VLEN-i kishte epërsi, por nuk ishte aq e madhe sa të flitej për ndonjë dominim.
Një vit më vonë, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, Haqim Ramadani mori 2.021 vota, ndërsa kandidati i AKI-së 1.147. Diferenca ishte 874 vota në favor të Ramadanit.
Por këto 874 vota epërsi nuk mund të interpretohen si rritje e VLEN-it. Një pjesë e tyre mund t’i përshkruhen vetë Ramadanit si kandidat pasi votuesi shqiptar në Bërvenicë duket se është i prirur të zgjedhë kandidatin që e konsideron më cilësor e jo domosdoshmërisht partinë.

Këtë herë gara ndërmjet kandidatëve shqiptarë nuk do të jetë vetëm një garë se cila parti ka më shumë vota, por edhe se cili kandidat mund të krijojë trupin më të madh votues rreth vetes.
Edhe shifrat e VMRO-së janë interesante. Kandidati i saj në raundin e parë mori 3.388 vota, por në listën për këshilltarë mori vetëm 2.371. Pra kandidati i VMRO-së mori 1.017 vota më tepër se partia e tij.
Kjo nuk do të thotë automatikisht se këto janë të gjitha vota shqiptare, por tregon se kandidati ka marrë mbi një mijë vota më shumë se vetë lista partiake. Pra, ai ka arritur të tërheqë votues përtej bazës së partisë.
Në raundin e dytë Haqim Ramadani mori plot 4.224 vota. Pra ai i shtoi 2.203 vota dhe kjo tregon se në raundin e dytë pati një mobilizim të madh të votës shqiptare.
Por kjo nuk mjaftoi pasi kandidati i VMRO-së fitoi me vetëm rreth 150 vota diferencë.

Prandaj, Bërvenica është interesante pikërisht për shkak të këtyre shifrave. Kjo tregon se fituesin nuk e përcakton vetëm vota partiake. Votat që kalojnë nga njëra palë te tjetra janë vendimtare.
Prandaj pyetja që parashtrohet në këto zgjedhje lokale është se a do të arrijë kandidati shqiptar ta bashkojë votën shqiptare që në raundin e parë, dhe njëkohësisht të marrë vota edhe përtej bazës së tij partiake?
Nëse kandidati i VMRO-së përsëri arrin të tërheqë vota shqiptare dhe votues të papërcaktuar, gara mund të mbetet shumë e ngushtë. Por nëse këtë herë vota shqiptare mobilizohet më mirë, atëherë Bërvenica mund të jetë në rrugë për një ndryshim politik.