“Në rast të një sulmi, jemi gati të luftojmë menjëherë, por kjo nuk do të thotë se do të ulim vigjilencën. Do të vijojmë të përgatitemi dhe të stërvitemi çdo ditë, për të qenë gjithnjë e më të gatshëm, si nesër, ashtu edhe në ditët në vijim”.
Kështu deklaroi komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s në Europë, Alexus G. Grynkewich, gjatë Forumit të Sigurisë në Varshavë, ku prezantoi strategjinë e quajtur “Teoria e fitores: Si të arrihet suksesi ushtarak kundër Rusisë përmes parandalimit dhe mbrojtjes?”.
Sipas tij, përgatitja për luftim nënkupton, para së gjithash, aftësinë për të fituar në mbrojtje, por demonstrimi i gatishmërisë ushtarake është thelbësor edhe për të parandaluar konfliktet.
“Demonstrimi i gatishmërisë për të vepruar sipas strategjisë sonë është çelësi për të pasur sukses në parandalimin e një sulmi. Si një aleancë mbrojtëse, duhet të jetë e qartë për të gjithë se objektivi ynë është të ruajmë një aftësi parandaluese efektive dhe të besueshme”, theksoi Grynkewich.
Ai shtoi se çdo aktivitet, stërvitje dhe investim financiar i vendeve anëtare kontribuon në këtë objektiv.
Sipas tij, strategjia e NATO-s synon të përqendrojë përpjekjet për të dëshmuar se Aleanca është e përgatitur për ta ndalur, dobësuar dhe mposhtur kundërshtarin.
Grynkewich bëri të ditur se forcat tokësore të dislokuara në krahun lindor të NATO-s do të vijojnë stërvitjet për të dëshmuar aftësinë e tyre për të ndalur çdo sulm.
Ndërkohë, forcat ajrore dhe detare do të stërviten për të ruajtur lirinë e manovrimit dhe për të koordinuar operacionet në fusha të ndryshme ushtarake, me qëllim dobësimin e mëtejshëm të çdo sulmi kundërshtar.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e investimeve në armë me precizion të lartë dhe rreze të gjatë veprimi, rrjete sensorësh dhe sisteme dixhitale për operacionet luftarake.
Këto kapacitete, sipas tij, do të ndihmojnë në shkatërrimin e sistemeve ushtarake të kundërshtarit, duke e bërë atë të paaftë për të vijuar sulmin.
“Është e pamundur që Aleanca të kapet në befasi”, deklaroi komandanti suprem i NATO-s në Evropë, duke shtuar se Aleanca do të jetë në gjendje të zbulojë paraprakisht një sulm të mundshëm, të vlerësojë qëllimet e kundërshtarit dhe të dislokojë me shpejtësi forcat e nevojshme.
Deklaratat e tij vijnë në kuadër të prezantimit të strategjisë ushtarake të NATO-s për përballimin e një konflikti të mundshëm, përfshirë skenarin e një sulmi rus në krahun lindor të Aleancës.



