Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci, është ndaluar për 48 orë.
Gazeta Nacionale ka mësuar se vendimi për ndalimin e Gecit është marrë nga prokurori i rastit pas intervistimit në lidhje me kanosjen ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Ish-deputeti i LDK-së fillimisht ishte shoqëruar në policia, pasi që ai mbrëmë i kishte shkuar te Televizioni Dukagjini gazetarit Mehmetaj, i cili po e zhvillonte një debat me deputetin e PDK-së, Përparim Gruda.
Si nisi gjithçka?
“Na kanë dalë te reforma do”; “janë t’u na pritë”: Gani Geci tentoi të hynte në studiot e Dukagjinit?
Autori i emisionit “Debat Plus”, Ermal Pandru, në fund të emisionit, i kishte treguar gazetarit Mehmetaj se dikush nga familja Geci ka ardhur të televizioni dhe po e presin jashtë, ndërsa në oborr ishte edhe Policia e Kosovës.
Më pas, Mehmetaj ka treguar se një ditë më parë është kërcënuar nga familja Geci.
Kjo kishte ndodhur pas një postimi kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.
Duke treguar detaje rreth kësaj çështje, Mehmetaj ka thënë se është kontaktuar nga anëtarë të familjes Geci, të cilët, sipas tij, i kërkuan ta hiqte shkrimin.
“Prej familjes Geci mua më kanë thirrë, më kanë thënë me hjekë postimin. Unë i kam thënë jo”, ka deklaruar Mehmetaj.
Ai tha se pas një takimi në zyrën e tij, kërkesa për heqjen e postimit ishte përsëritur.
Lexo edhe
Sipas tij, iu kërkua edhe ndryshimi i përmbajtjes, por ai refuzoi.
Mehmetaj deklaroi se gjatë takimit kishte pasur kërcënime, të cilat më pas i raportoi te organet e rendit.
“Në mëngjes kam shku në polici, e kam njoftu rastin”, ka deklaruar ai, duke theksuar se kishte zgjedhur rrugën institucionale për ta trajtuar çështjen.



