Arabia Saudite nuk aktivizoi sistemin paralajmërues para sulmeve vdekjeprurëse në aeroport

Arabia Saudite ndaloi lëshimin e paralajmërimeve publike për sulme të mundshme ushtarake disa ditë para serisë së sulmeve vdekjeprurëse në aeroportin e Riadit, të cilat vranë të paktën 18 persona dhe plagosën më shumë se 300 të tjerë, ka raportuar të martën agjencia e lajmeve Reuters.

Qeveria nuk ka shpjeguar pse nuk pati njoftime për publikun para katër sulmeve të javës së kaluar.

Këto paralajmërime shërbenin për të nxjerrë në pah dhunën që minonte përpjekjet e mbretërisë për të krijuar një imazh qetësie te populli i saj dhe në botë, gjatë luftës me rebelët huthë të Jemenit, të cilët mbështeten nga Irani.

Mungesa e tyre gjatë sulmeve në aeroport ngriti pikëpyetje mbi cenueshmërinë e Arabisë Saudite ndaj sulmeve dhe aftësinë e saj për t’i mbrojtur banorët dhe vizitorët, kanë deklaruar për agjencinë Reuters katër zyrtarë perëndimorë dhe arabë në rajon, si dhe analistë politikë. Kjo gjithashtu pasqyronte përpjekjet për të ruajtur një ndjesi normaliteti, kanë shtuar ata.

“Ata (qeveria saudite) duan t’i kenë të dyja: të nisin një operacion ushtarak dhe, në të njëjtën kohë, të përpiqen t’u japin besim popullatës dhe palëve të jashtme të interesuara”, ka thënë Sultan Alamer, akademik saudit me bazë në SHBA dhe bashkëpunëtor i lartë në organizatën kërkimore “Këshilli i Politikës së Lindjes së Mesme””.

Mbrojtja Civile Saudite – agjenci kombëtare për menaxhimin e emergjencave, shpëtimin dhe zjarrfikëset, e cila vepron nën varësinë e Ministrisë së Brendshme dhe jep paralajmërime të hershme – si dhe zyra e medias së qeverisë saudite, nuk iu përgjigjën pyetjeve të dërguara me email lidhur me arsyen pse nuk u aktivizuan paralajmërimet.

Qasja e Arabisë Saudite mbart gjithashtu rrezikun e kundër-efektit, sipas disa analistëve rajonalë, pasi mungesa e paralajmërimeve ka shtuar pasigurinë brenda mbretërisë.

Të hënën, autoriteti i Mbrojtjes Civile të Arabisë Saudite lëshoi ​​paralajmërimet e para që nga 29 shtatori, duke njoftuar për kërcënime të mundshme në Riad dhe në qytetet jugore.

Reuters nuk mundi të konfirmonte nëse vendimi për të rifilluar lëshimin e paralajmërimeve ishte reagim ndaj sulmeve në aeroport, dhe qeveria saudite nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment mbi këtë çështje. /Kallxo