Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar lidhur me presionin me të cilin, sipas saj, po përballen gazetarët Lirim Mehmetaj dhe Fidan Jupolli, duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë masa konkrete për mbrojtjen e gazetarëve.
Përmes një reagimi, Kusari ka kërkuar ndryshimin e ligjeve dhe krijimin e mekanizmave për mbrojtjen e gazetarëve, duke theksuar se situata në të cilën punojnë gazetarët në Kosovë është e rrezikshme.
“Oj Qeveri, wake up! Lirim Mehmetaj po përballet me presion të jashtëzakonshëm. Fidan Jupolli po përballet me presion të jashtëzakonshëm. Çfarë duhet të ndodhë më shumë që Qeveria e Kosovës të fillojë t’i ndryshojë ligjet dhe të krijojë mekanizma për mbrojtjen e gazetarëve?”, ka shkruar Kusari.
Ajo ka thënë se do të vazhdojë të ngrejë shqetësimin për sigurinë e gazetarëve, duke u bazuar edhe në përvojën e saj të punës në vende ku janë vrarë gazetarë.
“Po e them prapë dhe kom me përsëritë vazhdimisht. Unë punoj në vende ku janë vra gazetarë. Atmosfera në të cilën punojnë gazetarët në Kosovë ka ngjashmëri të madhe me ato vende. Nuk po them se në Kosovë do të vriten gazetarë, por situata është e rrezikshme dhe qeveria duhet të zgjohet nga gjumi dhe ta marrë seriozisht këtë punë”, ka theksuar ajo.
Kusari ka propozuar dy masa konkrete që, sipas saj, duhet të ndërmerren për të përmirësuar sigurinë e gazetarëve në Kosovë.
“Pika nr. 1 është krijimi i një Trupi Koordinues për Sigurinë e Gazetarëve.
Pika nr. 2 është propozimi i ndryshimeve në Kodin Penal, të cilat do t’i ashpërsonin dënimet për sulmet ndaj gazetarëve”, ka shkruar Kusari.
Ajo ka theksuar se këto propozime nuk janë ide të reja, por masa që, sipas saj, po ndërmerren nga shtetet demokratike që angazhohen për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve.
“Këto dy pika nuk janë shpikje të miat, por masa që po ndërmerren nga shtetet demokratike që kujdesen realisht për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve”, ka shtuar Kusari.



