Autoritetet në disa qytete franceze të martën në mbrëmje zgjatën ose vendosën shtetrrethime pas dhunës gjatë protestave të fundjavës, ku Parisi dhe Lioni zgjatën kufizimet ekzistuese ndërsa qyteti i Marsejës e vendosi këtë masë për herë të parë, duke synuar të miturit.
Në Paris, prefektura e policisë e zgjati shtetrrethimin edhe në “Sheshin e Republikës” (Place de la Republique) dhe në disa pjesë të lagjes Les Halles, nga ora 23:00 sipas kohës lokale të së martës deri në orën 06:00 të së mërkurës, raportoi portali i lajmeve “France Info”.
Autoritetet gjithashtu rinovuan ndalimin e të gjitha tubimeve të padeklaruara nga ora 20:00 deri në orën 06:00, duke përfshirë disa zona kyçe të kryeqytetit, përfshirë zonën përreth Pallatit Elysee, Asamblesë Kombëtare, Senatit, bulevardit Champs-Elysees, Chatelet dhe stacioneve kryesore hekurudhore.
Në Lion, shtetrrethimi në qendër të qytetit u zgjat nga ora 21:00 deri në orën 06:00, ndërsa ndalimi i tubimeve do të nisë në orën 16:00, në vend të orës 18:00, dhe do të mbetet në fuqi deri në fillimin e shtetrrethimit.
Ndërkohë, Benoit Payan, kryetari i bashkisë së qytetit bregdetar të Marsejës njoftoi vendosjen e një shtetrrethimi të kufizuar për të miturit, i cili do të hyjë në fuqi nga ora 22:00 e së martës deri në orën 05:00 gjatë ditëve në vijim, në disa pjesë të qendrës së qytetit.
Në Tuluzë, autoritetet njoftuan se shtetrrethimi do të hyjë në fuqi të enjten në mbrëmje dhe do të mbetet në fuqi deri të dielën, nga mesnata deri në orën 05:00. Shtetrrethimet e njoftuara më herët në qytetet Bordo dhe Nicë do të vazhdojnë sipas planit.
Ndërkaq, Liga Profesionale Franceze e Futbollit njoftoi shtyrjen e ndeshjes së së shtunës në Ligue 2 mes Montpellier dhe Red Star të Parisit, pas njoftimit për protesta të reja. Ndeshja, e planifikuar fillimisht për pasditen e së shtunës, është shtyrë për të hënën me kërkesë të autoriteteve.
Rreth 550 mijë persona morën pjesë në 110 demonstrata në të gjithë Francën të shtunën, përfshirë 110 mijë në Paris ndërsa në mbarë vendin u kryen rreth 400 arrestime.



