Rama e akuzon Abdixhikun për “tradhti”: Tentoi të ma merrte shumicën bashkë me VV-në

Përparim Rama e ka akuzuar Lumir Abdixhikun për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje prapa kurrizit të tij.

Kryetari i Prishtinës ka deklaruar të martën se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka bërë përpjekje për t’ia marrë atij shumicën në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Abdixhiku, si mjet për ta bllokuar atë në Kuvendin Komunal, sipas Ramës, ka tentuar t’i përdorë shefin e asamblistëve të LDK-së dhe grupin e asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

“Siç po dëgjoj që ka thirr shefin e asamblesë të LDK-së, Egzon Pacollin, shko negocio me Gëzim Sveçlën për me ia marrë shumicën Përparim Ramës”, ka thënë Rama të martën në një intervistë në Debat Plus të RTC Dukagjinit.

Kryetari i Prishtinës tha se, në vend që Abdixhiku ta mbështesë qeverisjen e kryeqytetit, ai po merret me organizime që, sipas Ramës, synojnë ta dobësojnë atë politikisht. Rama pretendoi se Qeveria qendrore e udhëhequr nga Albin Kurti po e pengon zhvillimin e Prishtinës dhe se LDK-ja duhet të jetë në anën e kryeqytetit, e jo të bashkëpunojë me VV-në kundër tij.

“Kur e sheh që qe pesë vite kjo qeveri e lufton kryeqytetin që është e LDK-së bashkë me Përparim Ramën dhe ti duhesh ti ndihmosh atij e jo të merresh me organizime të këtyre rrenave që i qesin në publik, është për të ardhur keq”, u shpreh ai.

Përplasja e Ramës me Abdixhikun nuk u ndal vetëm te pretendimet për shumicën në Prishtinë. Kryetari i kryeqytetit e kritikoi ashpër edhe udhëheqjen e LDK-së, duke thënë se kjo parti, sipas tij, nuk duhet të pajtohet me vendin e tretë në skenën politike, por duhet të synojë të parin.

Rama, i cili pretendon se për pesë vjet e ka mbështetur Abdixhikun, tha se kryetari i LDK-së duhet të reflektojë për rezultatet zgjedhore dhe t’ua hapë rrugën figurave të tjera brenda partisë.

“Unë e kam përkrah që pesë vite, jam mundu me e ngrit LDK-në, jam mundu me i ndihmu Lumir Abdixhikut që njëherë ka dal i treti, dy herë i treti dhe tri herë i treti dhe mendoj që një njeri normal me mendësi të plotë duhet të lëshoj rend që të shtyhet procesi përpara”, tha Rama.