Kryeministri izraelit kritikoi mënyrën se si Franca po përballet me zhvillimet e fundit shoqërore dhe dhunën në vend. Në një intervistë për kanalin frankofon i24News, Benjamin Netanyahu deklaroi se Parisi ka dështuar të reagojë në kohë ndaj ekstremizmit.
“Ata nuk u përgatitën në kohë, thjesht hoqën dorë dhe iu dorëzuan pushtimit të islamit ekstremist», u shpreh Netanyahu gjatë intervistës.
I pyetur se çfarë këshille do t’i jepte Francës, kreu i qeverisë izraelite u përgjigj: “Luftoni, mos zgjidhni politikën e pajtimit. Luftoni kundër ekstremistëve”.
Netanyahu tha se e kishte paralajmëruar presidentin francez Emmanuel Macron pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, më 7 tetor 2023.
“Nëse nuk i eliminojmë këtu, do t’i keni në Paris”, pretendoi Netanyahu se i kishte thënë Macronit në atë kohë.
“Dhe pikërisht kjo po ndodh”, shtoi kryeministri izraelit, duke iu referuar situatës së sigurisë në Francë.
Retorika e Netanyahut përkon me deklarata të bëra edhe nga politikanë dhe komentatorë të ekstremit të djathtë në Perëndim, të cilët pretendojnë se disa zona të Evropës janë vënë nën ndikimin e ligjit islamik për shkak të popullsisë emigrante. Këto pretendime kanë nxitur akuza për islamofobi.
Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë gjithashtu deklarata të ngjashme. Ai pretendoi se Franca po “pushtohet, plaçkitet dhe digjet nga emigrantët, xhihadistët dhe komunistët”.
Rreth 2 400 persona të arrestuar pas trazirave në Francë
Të shtunën, pas një mobilizimi kombëtar për fuqinë blerëse, disa qytete franceze u përfshinë nga plaçkitjet dhe trazirat.
Sipas autoriteteve, rreth 2 400 persona u arrestuan, ndërsa afërsisht 1 000 policë dhe xhandarë u plagosën.
Ngjarjet kanë shkaktuar debate mbi sigurinë publike, emigracionin dhe mënyrën se si autoritetet franceze duhet të reagojnë ndaj dhunës.
Marrëdhëniet Francë–Izrael, në përkeqësim
Marrëdhëniet mes Francës dhe Izraelit janë përkeqësuar që kur Parisi njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës në shtator 2025.
Në atë kohë, Netanyahu akuzoi Macronin se po “ushqente zjarrin e antisemitizmit” në Francë.



