Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Bashkimi Europian nuk ka ndër mend të heqë sanksionet ndaj burimeve energjetike ruse përpara përfundimit të luftës në Ukrainë. Ajo theksoi se Moska nuk mund të konsiderohet një furnizuese e besueshme e0 energjisë për Europën.
“Ne kemi vendosur sanksione energjetike ndaj Rusisë për shkak të luftës së saj të agresionit kundër Ukrainës. Këto sanksione do të mbeten në fuqi derisa Rusia t’i japë fund luftës”, deklaroi Von der Leyen të mërkurën, gjatë një fjale në Parlamentin Europian, ku foli për rezultatet e mbledhjes së Këshillit Europian të zhvilluar më 15 dhe 16 tetor.
Kreu i Komisionit Europian rikujtoi se ishte Rusia, dhe jo Bashkimi Europian, ajo që ndërpreu furnizimet me gaz drejt Europës në vitin 2022.
“Rusia nuk është një furnizuese e besueshëm e energjisë. Ajo preferon t’i përdorë varësitë energjetike si armë për të shantazhuar të tjerët. Ky është një mësim që Europa nuk do ta harrojë kurrë”, theksoi ajo.
Deklaratat vijnë pas raportimeve të gazetës amerikane “The New York Times”, sipas të cilave Shtetet e Bashkuara kanë propozuar rikthimin e gazit rus përmes tubacioneve në tregun europian, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas raportimit, administrata e Donald Trumpit beson se rikthimi i eksporteve të gazit mund t’i ofrojë Moskës një nxitje ekonomike për të pranuar një marrëveshje paqeje.
Megjithatë, zyrtarët europianë kanë reaguar negativisht ndaj kësaj ideje, pasi ajo bie ndesh me politikën e ndjekur prej vitesh nga BE-ja për të ulur varësinë nga energjia ruse. Edhe zëdhënësja e Komisionit Europian, Paula Pinho, konfirmoi më 19 tetor se Unioni nuk synon të heqë sanksionet energjetike ndaj Rusisë për sa kohë lufta nuk ka përfunduar plotësisht.
BE-ja synon të ndërpresë plotësisht importet e gazit rus
Sipas rregullave të miratuara nga Bashkimi Europian, importet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Rusia duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2026, ndërsa furnizimet me gaz përmes tubacioneve duhet të ndërpriten jo më vonë se vjeshta e vitit 2027.
Përpara nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022, gazi rus përbënte rreth 45% të furnizimit të Bashkimit Europian me gaz.
Qëndrimi i fundit i Von der Leyen konfirmon se Brukseli synon të vijojë shkëputjen energjetike nga Moska, pavarësisht diskutimeve për mundësinë e përfshirjes së gazit rus në një marrëveshje të ardhshme paqeje.



