Pesë deputetët e VV-së abstenuan, nuk kalon amendamenti për 1 milion euro për protezat e invalidëve të luftës

Pesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin për Buxhet kanë abstenuar në votimin për amendamentin që parasheh ndarjen e një milion eurove shtesë për proteza dhe pajisje të tjera mjekësore për invalidët e luftës, duke pamundësuar miratimin e tij.

Amendamenti, i propozuar nga Komisioni për Mirëqenie Sociale, nuk mori mbështetjen e Komisionit për Buxhet, pasi pesë anëtarë votuan për, asnjë kundër dhe pesë abstenuan, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, e kundërshtoi ndarjen e mjeteve shtesë, duke argumentuar se çështja tashmë është e rregulluar përmes një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë dhe se mbulimi financiar bëhet përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Ndërkaq, deputetët Mergim Lushtaku i PDK-së, Teuta Haxhiu e AAK-së dhe Avdullah Hoti i LDK-së e mbështetën amendamentin, duke theksuar se invalidët e luftës vazhdojnë të përballen me vështirësi në sigurimin dhe ndërrimin e protezave.

Hoti kërkoi që shpenzimet për protezat të përfshihen në mënyrë të përhershme në buxhetin e Klinikës së Ortopedisë në QKUK, në mënyrë që kjo kategori të mos varet nga vendime të veçanta të institucioneve.

Sipas kryetarit të Komisionit, Enver Haliti, nga skema ekzistuese kanë përfituar 103 persona, prej tyre 58 invalidë të luftës së UÇK-së dhe 45 invalidë civilë të luftës.