Elon Musk ka kaluar vite duke ndërtuar Tesla-n dhe SpaceX-in në dy perandori teknologjike me vlerë prej triliona dollarësh. Tani, ai po shqyrton mundësinë e bashkimit të tyre.
I pyetur të martën nëse një bashkim do të ishte ide e mirë, Musk ishte i qartë: “Po”. Mundësia e një marrëveshjeje të tillë është më shumë sesa thjesht hipotetike. Musk tha se janë krijuar komitete të posaçme për të vlerësuar një marrëveshje të mundshme, megjithëse theksoi se nuk ka asnjë garanci që bashkimi do të ndodhë dhe se nuk është arritur asnjë marrëveshje.
Me Tesla-n të vlerësuar në rreth 1.5 trilionë dollarë (1.1 trilionë paund) dhe SpaceX-in në 2 trilionë dollarë, bashkimi i dy kompanive do të përbënte bashkimin më të madh të kompanive në histori.
Çdo marrëveshje do të kërkonte gjithashtu miratimin e aksionarëve. Megjithatë, Musk tha se sheh “shumë përfitime” nga bashkimi i bizneseve.
Sa i mundshëm është bashkimi?
“Sipas mendimit tim, 100%. Është thjesht çështje kohe”, thotë David Nicholson, këshilltari kryesor për teknologjinë në kompaninë e kërkimit të tregut The Futurum Group.
Prezantimi i Tesla Roadster javën e kaluar, një makinë elektrike futuriste e pajisur me shtytës raketorë të SpaceX-it, shërbeu si një “përfaqësim simbolik” që lë të kuptohet për bashkimin e dy kompanive të Musk-ut, tha Nicholson.
Musk, drejtor ekzekutiv i Tesla-s dhe SpaceX-it, tha se bashkimi i kompanive do të ishte i dobishëm, duke pasur parasysh punën që secila prej tyre kryen në fushën e çipave, inteligjencës artificiale (IA) dhe projekteve të tjera teknologjike.
Konkretisht, marrëveshja do të bashkonte makinat, robotët dhe teknologjinë e drejtimit autonom të Tesla-s me raketat, qendrat e të dhënave, satelitët dhe operacionet e telekomunikacionit të SpaceX-it.
Ky veprim mund të përbëjë një hap drejt misionit të Musk-ut për të ndërtuar një qytet të vetëqëndrueshëm në Mars, një vizion që ka ngjallur skepticizëm, por edhe shumë mbështetje.
Gjatë vitit të fundit, Musk ka ndërmarrë hapa për të konsoliduar bizneset e tij, ndërsa SpaceX bleu xAI-n dhe X-in, i njohur më parë si Twitter, përpara se të dilte në bursë këtë vit.
Megjithatë, bashkimi do të vendosej përfundimisht nga aksionarët, ku gjysma e aksionarëve të Tesla-s duhet ta mbështesin marrëveshjen, një prag që edhe vetë Musk e përshkroi si “një pengesë mjaft të lartë”.
Musk, si drejtues i të dyja kompanive, nuk mund të marrë pjesë në diskutimet e aksionarëve.
Megjithatë, Dan Sheehan, analist investimesh në Telos Wealth Advisors, tha se Musk, një aksionar kryesor i Tesla-s, ka të ngjarë ta realizojë synimin e tij brenda viteve të ardhshme.
Ai beson se aksionarët do ta mbështesin marrëveshjen, pasi teknologjitë që zhvillojnë kompanitë plotësojnë njëra-tjetrën, tha Sheehan.
Por bashkimi do të nënkuptonte se aksionarët e Tesla-s ka të ngjarë të zotëronin një “pjesë më të vogël të një biznesi shumë më të madh dhe më kompleks”, shtoi ai.
“Nuk ka një precedent të mirëfilltë se si do të vlerësohej në këtë rast një kompani publike si Tesla”, tha Sheehan.
Aksionet e SpaceX-it u rritën me 8% në tregtimet pas mbylljes së bursës, ndërsa aksionet e Tesla-s u rritën me 2%.
Çfarë do të thoshte kjo për klientët?
Ekspertët i thanë BBC-së se drejtuesit e automjeteve Tesla nuk kanë gjasa të vërejnë ndonjë ndryshim të madh në një periudhë afatshkurtër, edhe nëse dy kompanitë bashkohen.
Në fakt, makinat duket se janë pothuajse “një çështje dytësore”, të lëna në hije nga mundësia e bashkimit të kapaciteteve teknologjike të Tesla-s dhe SpaceX-it, tha Nicholson.
Ndryshimet kanë nisur tashmë në Tesla. Prodhuesi i makinave tha në fillim të këtij viti se do t’u jepte përparësi modeleve të tij më të shitura, Model Y dhe Model 3, duke e zhvendosur vëmendjen nga modelet më pak të kërkuara.
Tesla ka nisur gjithashtu të përdorë një fabrikë prodhimi në Kaliforni për të prodhuar robotë humanoidë, të njohur si Optimus.
Kombinimi i teknologjisë së drejtimit autonom dhe robotikës së Tesla-s me inteligjencën artificiale dhe rrjetin satelitor të SpaceX-it mund të rezultojë në automjete më të avancuara, tha Sheehan.
“Pyetja është se sa përparësi do t’u jepen makinave brenda një kompanie që po drejtohet gjithnjë e më shumë nga infrastruktura e inteligjencës artificiale”, shtoi ai.
Prezantimi i fundit i Roadster sugjeron se teknologjia e SpaceX-it mund të integrohet në produktet e ardhshme të Tesla-s, gjë që mund të tërheqë më shumë klientë, tha Tu Le, themeluesi i kompanisë këshilluese Sino Auto Insights.
Prodhuesi i Cybertruck-ut përballet me konkurrencë të fortë nga prodhuesit kinezë të makinave, si BYD, e cila në janar kaloi Tesla-n, duke u bërë prodhuesi më i madh në botë i automjeteve elektrike.
Çfarë përfiton Musk nga kjo marrëveshje?
Fituesi më i madh ka të ngjarë të jetë Musk, njeriu më i pasur në botë, i cili gjithashtu u bë trilioneri i parë në botë në fillim të këtij viti.
Bashkimi do t’i jepte Musk-ut kontroll më të madh të votës mbi kompaninë e bashkuar sesa ka aktualisht në Tesla, një faktor që komiteti i posaçëm që po vlerëson marrëveshjen do të duhet ta marrë në konsideratë.
Një kompani e vetme do t’ia lehtësonte Musk-ut zbatimin e strategjisë së tij për inteligjencën artificiale në mënyrën që ai dëshiron, tha Sheehan.
“Vetë marrëveshja nuk ia shton pasurinë Musk-ut, por e përqendron atë edhe më shumë në një aksion të vetëm”, tha ai.
Megjithatë, bashkimi mund të sjellë më shumë shqyrtim ndaj Musk-ut, i cili tashmë është një figurë polarizuese në SHBA, tha Nicholson.
Marrëveshja mund të përballet gjithashtu me presion më të madh rregullator nëse demokratët, shumë prej të cilëve kanë qenë kritikë ndaj Musk-ut, fitojnë më shumë vende në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA muajin e ardhshëm.
Aksionarët i kanë mbështetur edhe më parë synimet e Musk-ut. Vitin e kaluar, investitorët e Tesla-s miratuan një paketë shpërblimi të paprecedentë për Musk-un, me vlerë rreth 1 trilion dollarë.
“Sinqerisht, nuk mendoj se Musk do të merret me llogaritjen se çfarë ndikimi do të ketë bashkimi mbi pasurinë e tij”, tha Nicholson.
Marrëveshja do ta afronte Musk-un edhe më shumë me atë që Nicholson e quan “misionin e tij në jetë”: kolonizimin e Marsit.



