Putin liron amerikanin 74-vjeçar pas ndërhyrjes së Trump-it

Rusia ka liruar 74-vjeçarin amerikan Stephen Hubbard, i cili ishte dënuar me gati 7 vite burg për akuzën se kishte luftuar në krah të Ukrainës.

Lajmi u bë i ditur teksa presidenti rus Vladimir Putin zhvillonte bisedime në Shën Petersburg me të dërguarin amerikan Steve Witkoff.

Sipas mediave shtetërore ruse, Putin deklaroi gjatë takimit të së mërkurës se Hubbard ishte dërguar në aeroportin Pulkovo. Më vonë, presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi lirimin e tij, duke thënë se 74-vjeçari ishte “rrugës për në shtëpi” dhe se nuk ishte i nevojshëm asnjë shkëmbim të burgosurish.

Trump bëri të ditur në rrjetet sociale se lirimi erdhi pas një kërkese që ai i kishte drejtuar personalisht Putinit javën e kaluar.

Një ditë më parë, presidenti amerikan kishte lënë të kuptohej se lirimi i Hubbard mund të ishte i afërt.

Sipas CBS News, partnerit mediatik amerikan të BBC-së, Hubbard kishte qenë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe pritej të dërgohej në Teksas për të marrë trajtim mjekësor.

Hubbard, me origjinë nga shteti i Michigani-t, ishte dënuar në vitin 2024 me gati 7 vite në një koloni penale ruse. Autoritetet ruse e akuzuan se kishte shërbyer në një njësi mbrojtjeje në qytetin e Iziumit, në lindje të Ukrainës, ku ishte kapur nga forcat ruse pak pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Departamenti Amerikan i Shtetit e kishte klasifikuar më herët atë si një shtetas të ndaluar padrejtësisht nga Rusia. Ndryshe nga raste të tjera të amerikanëve të liruar nga burgjet ruse, ku janë përdorur shkëmbimet e të burgosurve, në rastin e Hubbard nuk u realizua një marrëveshje e tillë.

Gjatë takimit në Shën Petersburg, Witkoff falënderoi Putinin për lirimin e 74-vjeçarit, si dhe për një marrëveshje të arritur mes Moskës dhe Washingtonit në fillim të këtij muaji, që lejon importimin e naftës dizel ruse.

Sipas agjencisë shtetërore ruse TASS, Putin deklaroi se dërgesa e parë e naftës dizel në kuadër të marrëveshjes do të nisej nga Rusia brenda dy deri në tri ditësh.

Marrëveshja ka shkaktuar reagime të forta nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ka përkeqësuar marrëdhëniet mes Kievit dhe Washingtoni-t.

Gjatë javëve të fundit, Trump ka pezulluar disa sanksione ndaj Rusisë, duke argumentuar se ato mund të pengonin përpjekjet për arritjen e paqes. Ai ka deklaruar gjithashtu se Ukraina duhet të zgjedhë një udhëheqës të ri.

Ndërkohë, Kievi ka akuzuar Washingtonin se kishte ndërprerë ndarjen e informacioneve të inteligjencës lidhur me sulmet vdekjeprurëse ruse, duke pretenduar se kjo kishte vënë në rrezik jetën e qytetarëve ukrainas. Shtetet e Bashkuara i kanë cilësuar këto akuza si “skandaloze”.

Të martën, Zelensky njoftoi se shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës me SHBA-të kishte rifilluar, pas bisedimeve me Witkoff në Oslo, të cilat pala amerikane i përshkroi si “pozitive”.

Ndërsa takimi mes Putinit dhe Witkoffit vijonte në Shën Petersburg, presidenti ukrainas shkroi në rrjetet sociale se shumëçka do të varej nga gatishmëria e palës amerikane për të dëgjuar nga Rusia propozime të reja për paqen, dhe jo për vazhdimin e luftës.

Sipas agjencisë ruse RIA Novosti, gjatë takimit u diskutuan edhe rezultatet e bisedimeve në Oslo, ndërsa Witkoff i kishte dorëzuar Putinit dokumente që përmbanin propozime për procesin e paqes. Në agjendë ishin gjithashtu situata rreth Iranit, mundësia e një takimi në Kinë dhe bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve.

Putin deklaroi se Rusia mund të furnizonte tregun amerikan me sasi të mëdha plehrash kimike për bujqësinë. Nga ana e tij, Witkoff vlerësoi vendimin e Trump për lehtësimin e kufizimeve ndaj eksportit të naftës dizel ruse, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në kushtet e krizës ekonomike globale.

Ai tha se kjo marrëveshje tregonte se çfarë mund të arrihej përmes bashkëpunimit, duke shtuar se Trump ishte mirënjohës për vendimin e Putinit.