Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë është shpallur aktgjykimi ndaj Millorad Gjokoviqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare në rajonin e Pejës.
Gjokoviq është dënuar me 10 vjet burg, shkruan IndeksOnline.
Sipas aktakuzës së ngritur më 23 qershor 2023, Gjokoviq akuzohet se gjatë viteve 1998-1999, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasje, bastisje, rrahje, tortura, arrestime dhe keqtrajtime të civilëve shqiptarë në fshatin Ozdrim dhe në fshatrat përreth.
Ai akuzohet gjithashtu për dëbimin dhe deportimin e dhjetëra civilëve shqiptarë, mbajtjen e tyre në kushte skllavërie, si dhe për plaçkitjen, djegien dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile.
Sipas aktakuzës, gjatë ofensivës në Ozdrim u vranë gjashtë civilë shqiptarë. Tre civilë të plagosur, sipas pretendimeve të Prokurorisë, u dërguan fillimisht në Spitalin e Pejës, por më pas u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë.
Pesë civilë të tjerë, të cilët sipas aktakuzës u vranë gjatë ofensivës, vazhdojnë të figurojnë si të zhdukur, pasi trupat e tyre nuk janë gjetur.
Millorad Gjokoviq u arrestua më 27 qershor 2022, pas një hetimi të zhvilluar nga Prokuroria Speciale.



