Deputeti shqiptar në Serbi: ‘Do të angazhohem për të drejtat e shqiptarëve në Luginë’

Visar Mehmeti, deputet i zgjedhur shqiptar në Parlamentin e Serbisë, ka bërë të ditur se do të angazhohet për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës pasi sipas tij shqiptarët gjatë 14 viteve të fundit nuk kanë shënuar progres në realizimin e të drejtave të tyre por vetëm regres, tha ai për ABC News.

‘Për 14 vite nuk është shtyrë përpara çështja e shqiptarëve, kemi shënuar vetëm regres. Në Medvegjë dje vetëm 219 shqiptarë kanë mundur të votojnë‘, deklaroi Mehmeti.

Ai ka theksuar se do të jetë këmbëngulës në adresimin e kërkesave të shqiptarëve në Parlamentin serb, duke mos u ndjerë inferior përballë shumicës serbe.

Mehmeti në adresimin e tij për ABC News, ka thënë se mbetet të shihet nëse do të arrihet një gjuhë e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare për çështjet me rëndësi për shqiptarët. “Kemi një koalicion gjithëpërfshirës dhe të shohim se a do ta gjejmë gjuhën e përbashkët”, ka deklaruar Mehmeti.