Në Izrael, numërimi i votave të hedhura në të ashtuquajturat “zarfe të dyfishta”, që përfshijnë votat e diplomatëve dhe ushtarakëve jashtë vendit, do të nisë vetëm rreth mesnatës dhe pritet të përfundojë nesër në mbrëmje.
Këtë e bëri të ditur për gazetën Yedioth Ahronoth Elad Nave, drejtor i qendrës së monitorimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili theksoi se është ende herët për të vlerësuar ndikimin e këtyre votave në rezultatet përfundimtare.
“Presim më shumë se gjysmë milioni zarfe. Në këtë moment, nuk mund të përcaktojmë as numrin e saktë të mandateve që mund të ndikohen, pasi duhet të sigurohen të gjitha kutitë e votimit dhe të numërohen fletëvotimet përkatëse”, deklaroi Nave.
Edhe pas përfundimit të numërimit, rezultatet do të konsiderohen vetëm “pothuajse përfundimtare”, pasi javën e ardhshme është parashikuar një proces verifikimi i kutive të votimit.



