Organizatorët e protestës për rastin e Arlindës: Politikanët nuk janë të mirëseardhur

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paralajmëruar ultimatum 24-orësh ndaj institucioneve të Kosovës, duke kërkuar nisjen e hetimeve dhe shkarkimin e zyrtarëve që, sipas organizatës, kanë përgjegjësi për dështimet në mbrojtjen e Arlinda Zekajt.

Ultimatumi do të bëhet publik në protestën që do të mbahet sot, nga ora 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Në thirrjen e publikuar, Kolektivi kërkon që siguria dhe jeta e grave të trajtohen si çështje urgjente kombëtare, ndërsa femicidi të marrë vëmendjen dhe reagimin e duhur institucional.

“Të revoltuar/a, ne i japim afat 24 orë institucioneve që të fillojnë me shkarkime e hetime të zyrtarëve që e kanë dërguar me duart e tyre Arlindën drejt vrasjes”, thuhet në thirrje.

Organizata ka bërë të ditur gjithashtu se përfaqësuesit e partive politike parlamentare nuk janë të mirëseardhur në protestë. Sipas Kolektivit, kundërshtimi lidhet me atë që e cilëson si përpjekje të partive për ta shfrytëzuar politikisht vrasjen e grave.

“Revolta është e jona, dhe është e drejtuar kundër krejt juve. Nga ju lypet veprim, jo zaptim i zërit tonë popullor”, thuhet në reagim.

Kolektivi u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës dhe të vazhdojnë mobilizimin edhe në ditët në vijim, duke kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi nga institucionet për mbrojtjen e grave nga dhuna.

Protesta do të nisë në orën 16:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, nga ku organizatorët kanë paralajmëruar mobilizim edhe para institucioneve të vendit.