ALTA Banka në Maqedoni siguron klientët: Jemi likuidë, depozitat janë të sigurta dhe puna vazhdon normalisht!

ALTA Banka në Manastir ka reaguar pasi Banka Popullore e Serbisë ia mori licencën e punës ALTA Bankën në Serbi, përcjell TV21. Nga ALTA Bank në vendin tonë sigurojnë klientët se banka në Maqedoninë e Veriut funksionon në mënyrë të pavarur dhe nuk është prekur nga ngjarjet në vendin fqinj. Në një komunikatë për opinionin, banka thekson se është person juridik i pavarur, e regjistruar në Maqedoninë e Veriut dhe nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Bankës Popullore.

“ALTA Banka SHA Manastir është likuide dhe vazhdon të funksionojë rregullisht dhe pa pengesa. Të gjitha degët dhe bankomatet janë në funksion, ndërsa klientët kanë qasje të papenguar në mjetet e tyre financiare”, thuhet në komunikatë.

Nga banka theksojnë se klientët mund t’i disponojnë lirisht depozitat, të tërheqin para dhe të kryejnë të gjitha transaksionet bankare, pa kufizime jashtë kushteve të zakonshme të funksionimit.

“Ngjarjet që lidhen me bankën në Serbi nuk nënkuptojnë automatikisht ndryshim të gjendjes financiare apo të statusit juridik të ALTA Bankës SHA Manastir”, thuhet më tej në reagim.

Banka gjithashtu thekson se rrethanat në Maqedoninë e Veriut janë thelbësisht të ndryshme nga ato në Serbi, duke shtuar se nuk është subjekt i presioneve dhe përplasjeve politike të ngjashme me ato që kanë shënuar zhvillimet në Serbi.

Sa i përket depozitave, ALTA Banka rikujton se depozitat e personave fizikë janë të siguruara përmes Fondit për Sigurimin e Depozitave, në përputhje me kushtet dhe kufijtë e përcaktuar me ligj.

“Banka mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesave të klientëve, stabilitetin financiar dhe ruajtjen e besimit”, përfundon komunikata.