Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se të gjitha takimet me liderët e opozitës janë thirrur vetëm nga ai dhe, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme nga ana e tij, nuk është gjetur zgjidhje për shkak të refuzimit të ofertave nga partitë opozitare.
Ai ka vlerësuar se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk duan pushtet, por duan që ai të mos ketë pushtet.
“Çdo takim me ta është iniciuar çdo herë nga unë, thua se Kosova është vetëm e imja. Krerët e PDK dhe LDK fatkeqësisht po sillen edhe më keq se Fatmir Limaj në vitin e kaluar. Realisht, ata nuk janë duke dashur as pushtet dhe as përgjegjësi për veten e tyre. Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet. Por, këtë gjë nuk e vendosin ata”, ka shkruar Kurti.

