Mexhiti lartëson VLEN-in, thotë se ky subjekt i dha fund dominimit të BDI-së

Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, njoftoi se më 9 maj do të mbahet kongresi i parë i kësaj lëvizjeje, ku ajo do të shndërrohet në një parti të vetme politike.

Në një intervistë për Sitell, ai tha se VLEN ka sjellë konkurrencë në skenën politike shqiptare dhe i ka dhënë fund dominimit të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Mexhiti theksoi se konkurrenca është në të mirë të qytetarëve dhe ndihmon në krijimin e një qeverisjeje më të fortë dhe më efikase.

Ai bëri të ditur se partia e re do të udhëhiqet nga dy bashkëkryetarë: ai vetë dhe Bilall Kasami. Ndërsa, Bekim Sali do të jetë sekretar i përgjithshëm.

Sipas tij, VLEN do të ketë një orientim të qartë politik në qendër të djathtë dhe nuk do të përshtatet sipas partnerëve të qeverisë.

Duke folur për rikonstruimin e qeverisë, ai tha se ndryshimet duhet të bazohen në performancë dhe rezultate, duke shtuar se VLEN është e gatshme të ofrojë kuadro të përgatitura.

By admin1