Ministrja e Kulturës në Berlin, Sarah Wedl-Wilson, ka dhënë dorëheqjen pas një skandali që lidhet me shpërndarjen e parregullt të fondeve publike për projekte kundër antisemitizmit.
Vendimi i saj vjen pasi një auditim zyrtar zbuloi se rreth 2.6 milionë euro ishin ndarë në mënyrë të parregullt për 13 organizata, pa kaluar procedurat e nevojshme të verifikimit.
Kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, konfirmoi se e ka pranuar dorëheqjen, duke theksuar se ministrja ka marrë përgjegjësi politike dhe personale për situatën e krijuar.
Skandali ka përfshirë edhe shkarkimin e një zyrtari të lartë në departament, Oliver Friederici, megjithatë opozita e ka cilësuar këtë si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë reale.
Sipas raportit të auditimit, fondet janë shpërndarë në mënyrë “arbitrare” dhe madje “të paligjshme”, pas presionit nga përfaqësues të partisë CDU, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.
Një nga përfituesit kryesorë rezulton të jetë Zera Institute, i cili ka marrë rreth 390 mijë euro dhe është përfshirë në polemika për deklarata të diskutueshme të drejtuesve të tij në rrjetet sociale.
Vetë Wedl-Wilson ka deklaruar se largohet nga detyra për të mos dëmtuar më tej luftën kundër antisemitizmit në rritje në kryeqytetin gjerman.
Ndërkohë, autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që organizatat përfituese të detyrohen të kthejnë fondet e marra.
Rasti ka nxitur reagime të forta politike, teksa opozita paralajmëron për pasoja serioze në besimin ndaj institucioneve dhe në luftën kundër urrejtjes antisemite në Gjermani.

