Shkruan: Nefail Emini
Evropa përballë rreziqeve globale: Pse BE-ja u bën thirrje qytetarëve të përgatiten për 72 orët e para të një krize? Bashkimi Evropian u bën thirrje qytetarëve të tij që të përgatiten për situata emergjente, duke siguruar rezerva ushqimore, ujë të pijshëm, ilaçe dhe pajisje të domosdoshme për të përballuar të paktën 72 orët e para të një krize.
Udhëzimet e reja synojnë rritjen e gatishmërisë së familjeve për t’u përballur me fatkeqësitë natyrore, ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike, sulmet kibernetike dhe kërcënimet e ndryshme të sigurisë. Por, përse një paralajmërim i tillë nga Brukseli dhe çfarë fshihet pas kësaj thirrjeje? Bota ka hyrë në një periudhë të thellë krize, në të cilën përplasjet gjeopolitike janë intensifikuar deri në atë pikë saqë rendi ndërkombëtar, i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, po përballet me një erozion gjithnjë e më të dukshëm. Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe e drejta ndërkombëtare po shfaqen gjithnjë e më të pafuqishme përballë zhvillimeve aktuale, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e mekanizmave ekzistues të qeverisjes globale. Duket se kalimi drejt një rendi multipolar po prodhon një krizë të thellë të udhëheqjes globale. Në mungesë të një ekuilibri të qëndrueshëm ndërmjet fuqive të mëdha dhe të mekanizmave efektivë për menaxhimin e konflikteve, bota po lëviz drejt një gjendjeje të rrezikshme paqëndrueshmërie, e cila mund të përshkallëzohet në një konflikt të përmasave të mëdha, madje edhe në një luftë botërore, të ngjashme me ato që kanë tronditur njerëzimin gjatë shekullit të kaluar.
Krizat që mund ta tronditin Evropën
Invazioni rus në Ukrainë ka shkaktuar një tërmet në arkitekturën e sigurisë evropiane, duke e zhytur kontinentin e vjetër në një periudhë të re pasigurie dhe destabiliteti. Konflikti duket se po shkon drejt përshkallëzimit, ndërsa zgjerimi i tij mund të çojë në një konfrontim të drejtpërdrejtë ndërmjet Rusisë dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat njëkohësisht janë edhe pjesë e NATO-s. Serioziteti i situatës bëhet edhe më i dukshëm përmes paralajmërimeve të Moskës për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore. Në këtë kontekst, Evropa i është përgjigjur rritjes së kërcënimeve me forcimin e gatishmërisë së saj ushtarake, përfshirë edhe zhvillimin e stërvitjeve bërthamore nga dy fuqitë bërthamore të kontinentit, Franca dhe Britania e Madhe.
Një tjetër vatër potenciale e destabilizimit është Lindja e Mesme. Një luftë e re ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit do të mund të prodhonte një krizë të rëndë energjetike me pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë evropiane. Teherani ka paralajmëruar shkatërrimin e infrastrukturës dhe të impianteve energjetike në rajon, në rast të një përshkallëzimi të konfliktit. Evropa, e cila vazhdon të jetë në masë të madhe e varur nga burimet e jashtme të energjisë, mbetet veçanërisht e ekspozuar ndaj një skenari të tillë. Në vitin 2025, varësia e saj nga importet e gazit natyror arriti në 87,6 për qind. Për rrjedhojë, shpërthimi i një konflikti të drejtpërdrejtë në këtë rajon do ta vendoste kontinentin përballë një situate jashtëzakonisht të vështirë energjetike, e cila do të prodhonte pasoja të konsiderueshme ekonomike, sociale, politike dhe gjeopolitike.
Këto përbëjnë dy nga rreziqet më serioze me të cilat po përballet Evropa në këtë periudhë. Paralajmërimet për një dimër potencialisht ndër më të vështirët në historinë e kontinentit nuk lidhen vetëm me sigurinë e furnizimit me energji, por edhe me përkeqësimin e përgjithshëm të mjedisit gjeopolitik dhe të sigurisë. Në këtë kuadër, thirrja e Bashkimit Evropian që qytetarët të sigurojnë rezerva për 72 orët e para të një situate emergjente nuk duhet parë thjesht si një masë parandaluese ndaj fatkeqësive natyrore apo ndërprerjeve të mundshme të shërbimeve jetike. Ajo pasqyron gjithashtu shqetësimin në rritje të institucioneve evropiane për një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më të paparashikueshëm, në të cilin krizat e sigurisë, energjisë dhe gjeopolitikës mund të ndërthuren dhe të prodhojnë pasoja të njëpasnjëshme për të gjithë kontinentin.



