Një nga sekuestrimet më të mëdha të kokainës në historinë e Spanjës ka vënë në qendër të hetimeve një organizatë kriminale shqiptare. Mbi 10 tonë kokainë janë zbuluar në dy kapanone industriale në qytetin Águilas, ndërsa në kutitë ku ishte paketuar droga janë gjetur edhe adresat ku duhej të dërgohej ngarkesa.
Sipas gazetës spanjolle “La Verdad”, dy magazinat në zonën industriale El Labradorcico dyshohet se përdoreshin nga organizata shqiptare si baza për ruajtjen dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës në të gjithë Spanjën dhe në vende të tjera të Evropës.
Shënimi i adresave në kutitë e drogës konsiderohet një nga pistat më të rëndësishme për hetuesit, pasi mund të ndihmojë në identifikimin e destinacioneve dhe rrjetit të shpërndarjes së narkotikëve.
Garda Civile spanjolle ka përfunduar tërheqjen dhe numërimin e ngarkesës nga dy kapanonet. Në magazinën e parë janë zbuluar më shumë se 5.000 kilogramë kokainë, ndërsa kontrolli i ambientit të dytë e rriti sasinë e përgjithshme në mbi 10 tonë.
Sipas raportimeve, kjo është kapja më e madhe e kokainës e realizuar në territorin tokësor të Spanjës, duke tejkaluar sekuestrimin prej 5.000 kilogramësh në bregdetin e Huelvës gjatë muajit prill.
Zbulimi aksidental, punëtorët u larguan nga magazina
Një nga detajet më të veçanta të operacionit është mënyra se si u zbulua ngarkesa gjigante e drogës.
Gjithçka nisi gjatë procesit të shkarkimit të mallrave, kur një paletë e ngarkuar me kokainë ra nga një pirun ngritës. Përplasja shkaktoi dëmtimin e një pjese të ngarkesës dhe shpërndarjen e disa pakove me drogë në dyshemenë e magazinës.
Punëtorët që ndodheshin brenda u larguan me shpejtësi, duke braktisur edhe mjetin që përdorej për shkarkimin e mallrave.
Në vendngjarje mbërriti një patrullë e Policisë Bashkiake, e cila ishte njoftuar për një aksident të mundshëm në punë. Megjithatë, kur policët arritën në kapanon, nuk gjetën asnjë person brenda.
Kontrolli i mëvonshëm zbuloi përmasat e vërteta të aktivitetit kriminal dhe sasinë e madhe të kokainës që ruhej në ambientet industriale.
Mbi 100 milionë euro vlera e drogës, ende pa arrestime
Vlera e ngarkesës së sekuestruar në tregun e zi llogaritet të kalojë 100 milionë euro, ndërsa hetimet janë përqendruar në identifikimin e personave që qëndrojnë pas saj.
Deri në momentin e raportimit, nuk ishte kryer asnjë arrestim lidhur me këtë ngarkesë.
Hetuesit po analizojnë adresat e gjetura në kutitë e kokainës, si dhe të dhënat e tjera të siguruara nga dy magazinat, me qëllim rindërtimin e rrjetit të transportit dhe shpërndarjes.
Alarm në Spanjë për zgjerimin e rrjeteve kriminale
Pas zbulimit të mbi 10 tonëve kokainë, shoqata “Nuestro Corazón por Bandera”, e cila bashkon familjarë dhe mbështetës të pjesëtarëve të Gardës Civile dhe Policisë Kombëtare, ka ngritur shqetësime për përhapjen e organizatave kriminale në zonat bregdetare.
Shoqata ka paralajmëruar për mungesën e burimeve njerëzore dhe materiale për luftimin e trafikut të drogës, duke kërkuar hartimin e një plani gjithëpërfshirës për sigurinë në zonat bregdetare.
Sipas saj, prej më shumë se dy vitesh është paralajmëruar për zhvendosjen e aktivitetit të organizatave kriminale nga zona e Ngushticës së Gjibraltarit drejt pjesëve të tjera të vijës bregdetare spanjolle.
Për këtë arsye, zbulimi në Águilas konsiderohet nga shoqata si një tjetër dëshmi e nevojës për forcimin e masave kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht origjinën e kokainës, personat e përfshirë dhe destinacionet ku ishte planifikuar të shpërndahej ngarkesa gjigante.
FAKTI DITOR
Talenti shqiptar Lutfi Dalipi refuzon Zvicrën, në pritje të vendimit mes Shqipërisë dhe Kosovës!



