Futbollisti 20-vjeçar me origjinë shqiptare, Lutfi Dalipi, ka vendosur të mos e përfaqësojë Zvicrën në arenën ndërkombëtare. Talenti që po shkëlqen me fanellën e Vaduzit pritet të zgjedhë mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret gjatë javëve të ardhshme.
Lutfi Dalipi është kthyer në një nga emrat më të përfolur të futbollit zviceran, falë paraqitjeve të tij të mira me Vaduzin. Forma e tij ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të njohura evropiane, përfshirë Stuttgartin, Hoffenheimin, Eintracht Frankfurtin dhe Salzburgun.
Sipas mediumit zviceran “Blick”, interesimi për futbollistin është shumë i madh dhe disa klube janë të gatshme të paguajnë shuma prej dhjetëra miliona eurosh për transferimin e tij.
Por, krahas së ardhmes në futbollin e klubeve, vëmendje të veçantë ka marrë edhe vendimi i tij për përfaqësuesen që do të mbrojë në karrierën ndërkombëtare.
Dalipi kishte mundësi të luante për Zvicrën, Portugalinë, Shqipërinë ose Kosovën, por sipas raportimeve të “Blick”, ai tashmë ka vendosur ta përjashtojë përfaqësuesen zvicerane.
Futbollisti madje ka refuzuar edhe ftesën e përfaqësueses U21 të Zvicrës për ndeshjet e ardhshme, pasi nuk dëshiron t’i zërë vendin ndonjë lojtari tjetër nëse vendimi i tij është të përfaqësojë një shtet tjetër.
Premtimi ndaj gjyshit, Shqipëria ose Kosova
Një detaj interesant që zbulon mediumi zviceran është se Dalipi thuhet se i ka premtuar gjyshit të tij se në të ardhmen do të luajë për Shqipërinë ose Kosovën.
Të dyja federatat janë të interesuara për shërbimet e talentit të ri. Sipas raportimit, të shtunën e kaluar në Cyrih është zhvilluar edhe një takim ndërmjet Dalipit dhe përfaqësuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Vendimi përfundimtar pritet të bëhet i ditur gjatë javëve të ardhshme.
Zvicra humb një tjetër talent me origjinë shqiptare
Nëse Dalipi zgjedh Shqipërinë ose Kosovën, atëherë Federata Zvicerane e Futbollit do të humbasë edhe një tjetër talent të formuar në sistemin e saj.
Rastet e fundit përfshijnë futbollistët Leon Avdullahu, Albian Hajdari dhe Alessandro Romano, të cilët kanë zgjedhur përfaqësuese të tjera.
Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka komentuar edhe situatën e Dalipit, duke e cilësuar atë si një futbollist të ri dhe interesant, por ka theksuar se konkurrenca në mesfushën e përfaqësueses është shumë e madhe.
“Është një lojtar i ri dhe interesant, i cili ka tërhequr vëmendjen me statistikat e tij. Megjithatë, përderisa kam kaq shumë lojtarë në dispozicion në mesfushën qendrore, është e vështirë të gjejë vend në këtë grup”, ka deklaruar Yakin.
Ndërkohë, klubi Young Boys, që zotëron kartonin e Dalipit, ka kontratë me të deri në qershor të vitit 2030. Drejtuesit e klubit e shohin atë si një futbollist që në të ardhmen mund të marrë rolin e Alvyn Sanchesit.
Për momentin, një transferim gjatë afatit kalimtar të janarit konsiderohet pak i mundshëm, por paraqitjet e tij dhe interesimi nga klubet evropiane mund ta ndryshojnë situatën.
Tashmë, vëmendja e tifozëve shqiptarë është përqendruar te vendimi i 20-vjeçarit: Shqipëria apo Kosova?
FAKTI DITOR
“BISHA” Muriqi ia siguron fitoren Fenerbahces ndaj Liverpoolit



