Raporti i Entit Shtetëror të Revizionit zbulon probleme serioze në ndërmarrjen publike “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura”. Humbje financiare prej rreth 80 milionë eurosh, linja hekurudhore të amortizuara, defekte në dhjetëra lokacione dhe projekte që kanë pësuar rritje drastike të kostove janë vetëm disa nga gjetjet e revizionit për vitin 2024.
Gjendja e hekurudhave në Maqedoninë e Veriut po bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Përveç problemeve financiare, infrastruktura hekurudhore në disa pjesë të vendit është në gjendje të rëndë teknike, ndërsa në segmente të caktuara trenat detyrohen të qarkullojnë me shpejtësi të kufizuar prej vetëm 20 kilometrash në orë.
Sipas raportit të revizorëve, janë identifikuar rreth 50 lokacione me defekte, të cilat mund të riparohen vetëm përmes ndërhyrjeve të mëdha ndërtimore.
Probleme serioze janë evidentuar në Korridorin 10, që lidh Maqedoninë e Veriut me Serbinë dhe Greqinë, por edhe në segmente të tjera të rrjetit hekurudhor.
Në raport përmenden veçanërisht linjat Draçevë – Jane Sandanski dhe Rajko Zhizhov – Veles, ku janë konstatuar çrregullime të parametrave të shinave, rrëshqitje dheu, shembje, lagështi e shtuar e terrenit dhe traversa të drurit të amortizuara.
Shqetësuese është edhe gjendja e urës pranë Stobit, ku konstruksioni i shtyllave është bërë i paqëndrueshëm si pasojë e gërryerjes nga ujërat e lumit Cërna. Sipas revizorëve, ura ka pësuar dëmtime dhe lëshime dy herë gjatë gjashtë viteve të fundit.
KORRIDORI 8: KOSTOJA E PROJEKTIT RRITET PËR 96 PËR QIND
Probleme të mëdha janë evidentuar edhe në realizimin e projektit hekurudhor në Korridorin 8, konkretisht në segmentin Kumanovë – Beljakovcë.
Kontrata fillestare për ndërtimin e kësaj linje ishte nënshkruar në vitin 2013, në vlerë prej rreth 39.7 milionë eurosh, ndërsa punimet kishin nisur në mars të vitit 2014.
Megjithatë, në vitin 2020 kontrata ishte ndërprerë, ndërsa në korrik të vitit 2022 ishte përzgjedhur një kompani e re për vazhdimin e punimeve, me afat përfundimi prej dy vjetësh.
Por projekti nuk u përfundua brenda afatit të paraparë. Deri në qershor të vitit 2025 ishin nënshkruar tre anekse të kontratës, duke e rritur ndjeshëm vlerën financiare të projektit.
“Vlera e këtyre kontratave, së bashku me mjetet financiare të realizuara deri më tani, arrin në 77.8 milionë euro dhe paraqet rritje prej 96 për qind krahasuar me vlerën e kontratës fillestare prej 39.7 milionë eurosh. Gjithashtu, afati për përfundimin e projektit është shtyrë për 8 vjet e 3 muaj”, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit.
NDËRMARRJA: PËRGJEGJËSIA ËSHTË TE UDHËHEQËSIT E KALUAR
Nga Ndërmarrja Publike “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura” përgjegjësinë për gjendjen e krijuar ia atribuojnë udhëheqësive të mëparshme, duke përmendur menaxhimin joadekuat të ndërmarrjes.
Nga atje thonë se po ndërmerren aktivitete për tejkalimin e problemeve dhe zbatimin e rekomandimeve të revizorëve.
Sa i përket Korridorit 8, ndërmarrja pretendon se në segmentin Beljakovcë – Kriva Pallankë është shënuar rritje e konsiderueshme e dinamikës së punimeve.
“Përparimi i përgjithshëm fizik i projektit ka arritur në 45 për qind, ndërsa tashmë në vitin 2026 është shënuar progres rekord mujor, me mbi 2 për qind realizim në muaj dhe me mbi 650 punëtorë të angazhuar nga ana e kontraktuesit”, thuhet në përgjigjen e ndërmarrjes.
EDHE HEKURUDHAT – TRANSPORT ME HUMBJE MBI 100 MILIONË EURO
Problemet financiare dhe infrastrukturore nuk kufizohen vetëm te ndërmarrja përgjegjëse për infrastrukturën hekurudhore.
Para dy ditësh, Enti Shtetëror i Revizionit publikoi edhe raportin për Ndërmarrjen Publike “Hekurudhat e Maqedonisë – Transport”, ku gjithashtu u evidentuan mangësi serioze.
Revizorët kanë konstatuar gjendje shqetësuese financiare, me humbje që tejkalojnë 100 milionë euro, si dhe park të vjetruar të lokomotivave dhe vagonëve, disa prej të cilëve janë rreth 40 vjet të vjetër.
Dy raportet e revizionit nxjerrin në pah problemet e thella me të cilat përballet sistemi hekurudhor në Maqedoninë e Veriut.
Humbje milionëshe, projekte që zvarriten me vite, kosto që rriten pothuajse dyfish dhe linja hekurudhore që kërkojnë ndërhyrje urgjente – kjo është panorama që paraqesin gjetjet e revizorëve.
Ndërsa qytetarët dhe ekonomia presin një transport hekurudhor modern dhe funksional, mbetet e hapur çështja e përgjegjësisë për menaxhimin e mjeteve publike dhe për vonesat në projektet strategjike të vendit.
FAKTI DITOR
TRONDITET TURQIA: Tetë të vrarë nga sulmet me armë në tri fshatra, arrestohet i dyshuari!



