Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, ka zhvilluar një takim me ministren e Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla, në Budva të Malit të Zi. Në fokus të takimit ishte thellimi i bashkëpunimit institucional ndërmjet dy vendeve dhe avancimi i sistemit të drejtësisë.
Takimi u zhvillua në kuadër të Forumit Ministror BE – Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, ku dy ministrat shkëmbyen mendime dhe përvoja lidhur me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe zbatimin e reformave në përputhje me standardet evropiane.
Gjatë bisedës, ministri Shasivari theksoi se Kosova është një partnere e rëndësishme dhe e afërt e Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar se marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet dy vendeve përbëjnë një bazë të fortë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
Të dy ministrat theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe konkret, me synim arritjen e rezultateve në funksion të institucioneve më efikase, sundimit më të fortë të ligjit dhe rritjes së besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Takimi në Budva konfirmon rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe koordinimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë në procesin e reformave dhe afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet e Bashkimit Evropian.



