Një ngjarje e rëndë ka tronditur Turqinë, ku tetë persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë pas disa sulmeve me armë zjarri në tri fshatra të rajonit të Afyonkarahisarit. I dyshuari për sulmet është arrestuar në provincën fqinje të Eskişehirit.
Sipas raportimeve të mediave turke, sulmet ndodhën në tri lokacione të ndryshme në zonën e Ihsaniye, përkatësisht në fshatrat Ayazini, Kiyır dhe Yukarıtandır.
I dyshuari dyshohet se ka përdorur një pushkë gjahu, duke qëlluar ndaj disa personave në automjete dhe në vende të tjera.
Nga informacionet e publikuara nga autoritetet, fillimisht tre persona u vranë në zonën e Ayazinit, ndërsa tre të tjerë në Kiyır. Në fshatin Yukarıtandır, dy gra humbën jetën pasi nuk arritën t’u mbijetonin plagëve të marra. Një person tjetër mbeti i plagosur rëndë dhe po trajtohet në spital.
Pas sulmeve, i dyshuari ishte larguar me një automjet të kuq, ndërsa policia dhe xhandarmëria kishin nisur një operacion të gjerë për kapjen e tij.
I DYSHUARI U ARRESTUA
Agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu raportoi më vonë se i dyshuari është arrestuar në provincën e Eskişehirit, pas një operacioni të përbashkët të forcave të xhandarmërisë dhe policisë.
Autoritetet turke kanë bërë të ditur se tetë persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.
Ndërkohë, Prokuroria në Afyonkarahisar ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e motiveve të sulmeve.
Deri në raportimet e fundit, motivi që çoi në këtë ngjarje të rëndë nuk ishte bërë i ditur.
Video: https://x.com/muhendisyenn/status/2118388476290986279?s=20
FAKTI DITOR
Çollaku zbulon prapaskenat e dorëzimit të Thaçit në Hagë: Kishim marrëveshje për një veturë civile



