Ish-shefi i Stafit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, ka zbuluar detaje nga dakordimi që ishte arritur me përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara në Hagë lidhur me procedurën e dorëzimit të Thaçit para drejtësisë ndërkombëtare.
Çollaku ka treguar se marrëveshja parashihte që në momentin e largimit të Thaçit nga Presidenca e Kosovës të mos kishte prani të forcave policore apo ushtarake, me qëllim që procesi të zhvillohej në mënyrë të qetë dhe pa skena të panevojshme.
Sipas tij, ishte rënë dakord që përcjellja të bëhej vetëm nga një veturë civile me targa të zakonshme, në të cilën do të ndodheshin një ose dy pjesëtarë të stafit të Gjykatës Speciale.
Kjo veturë do t’i printe makinës zyrtare të presidentit Thaçi deri te objektet e EULEX-it, ku do të realizohej procedura e dorëzimit.
“Po e zbuloj për herë të parë dakordimin me stafin e Gjykatës Speciale, që të ketë vetëm një makinë me targa civile, me një apo dy personel staf të Gjykatës Speciale, të cilët kanë qenë të obliguar t’i paraprijnë makinës së presidentit Thaçi, ku është vetëdorëzuar presidenti Hashim Thaçi”, ka deklaruar Çollaku.
Ky rrëfim hedh dritë mbi prapaskenat e koordinimit mes Presidencës së Kosovës dhe Dhomave të Specializuara për një nga momentet më të rëndësishme politike dhe institucionale në historinë e fundit të vendit.
Hashim Thaçi, pasi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës në nëntor të vitit 2020, u nis drejt Hagës për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë së Specializuar.
Deklarata e Çollakut sjell një dimension të ri mbi mënyrën se si ishte organizuar largimi i tij nga Presidenca dhe marrëveshjen për të shmangur një prezencë të dukshme të forcave të sigurisë gjatë këtij procesi.
FAKTI DITOR
Kurti për Astrit Deharin: Dhjetë vjet më vonë, ende nuk e dimë kush e vrau!



